Dëmtohet Bakaj, në pikëpyetje për Laçin dhe Kombëtaren
leonard karaj
Elis Bakaj është dëmtuar gjatë stërvitjes së djeshme duke vënë në alarm drejtuesit e Dinamos. Gjithçka ka ndodhur gjatë seancës së djeshme stërvitore. Gjatë një dyluftimi për top me mbrojtësin Erion Xhafa, Bakaj ka mbetur i shtrirë në tokë.
Pezmatimi është i madh, jo vetëm i futbollistit, i cili është në prag të ndeshjes së 14 tetorit me Kombëtaren në Suedi, por dhe të stafit teknik e lojtarëve të skuadrës. Aktualisht nuk është e qartë nëse Bakaj do të jetë në dispozicion për ndeshjen e kësaj jave në Superligë ndaj Laçit. Pas ndërhyrjes së shpejtë të fizioterapistit dinamovit, i cili për disa minuta është marrë me lojtarin, Bakaj është çuar në këmbë. Ka qëndruar për disa minuta i ulur në stol e më pas, i ndihmuar dhe nga të tjerë, të cilët e kanë mbajtur lojtarin gati në krah, Bakaj ka shkuar në dhomën e tij të zhveshjes.
Sipas fizioterapistit dëmtimi ka ardhur nga fakti që Bakaj nuk ka pasur ekuilibrin e duhur, ndërsa këmba e tij ka qenë në ajër. “Topi ka qenë mes Xhafës e Bakajt. Të dy njëri me këmbën në tokë e me këmbën në ajër, por Xhafa ka qenë më i vendosur, ndërsa Bakaj s’ka pasur ekuilibër. Ka dëmtuar pjesën e trinës në këmbën e majtë. Duket si shembje, por gjithçka do të mund ta themi pasi t’i kemi bërë grafitë e ekot. Për momentin nuk mund të japim një përgjigje të saktë, a do të jetë për ndeshjen, apo jo, sepse duhen parë grafitë”, ka thënë fizioterapisti.
Megjithatë, përtej asaj që do të bëjë stafi mjekësor i Dinamos me lojtarin, familjarët që mbrëmë e kanë dërguar te mjeku i familjes, Luan Guga në mënyrë që nëpërmjet fizioterapisë t’i ulen të enjturat. Duhet theksuar se, edhe sipas burimeve pranë familjes, Bakaj ka pasur probleme me kaviljen e majtë, por që dëmtimi i momentit nuk është në atë pjesë problematike, veçse te trina e këmbës. Gjithsesi Bakaj është lojtari më në formë për momentin në Kategorinë Superiore, teksa ka shënuar katër gola në pesë ndeshje, e ky dëmtim në prag të ndeshjes me Laçin e Kombëtaren duket si një “ters” i madh për lojtarin. Shpresohet që dëmtimi të mos ketë pasoja të gjata, sepse do të jetë në dëm të lojtarit, por dhe të kryesuesve të kampionatit, të cilat gjithçka në lojën e tyre e varin te Bakaj.