E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evropa pas rënies së Murit të Berlinit

 

Aktiviteti “Epoka e ndryshimeve” ka nisur dje serinë e ngjarjeve kulturore dhe përkujtimore, që do të ndodhin në Tiranë me rastin e 20-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit. Dje, në hotel “Rogner”, u zhvillua një takim përkujtimor për këtë ngjarje që ndryshoi gjeopolitikën evropiane, organizuar nga Fondacioni Hans Seidel dhe CEAPAL. Pas një fjale hyrëse nga përfaqësues të fondacionit dhe Deutsche Welle, u shfaq dokumentari “Të murosurit”, një prodhim i këtij viti i DW. Një dokumentar, i cili tregonte pikërisht për murin, si ishte ndërtuar ai, cilat ishin masat e sigurisë, për të evituar çdo kalim të mundshëm nga Gjermania Lindore në atë Perëndimore. Tela me gjemba, rryma elektrike, sinjale alarmi, kulla roje, pengesa... Një bllokadë e tmerrshme që ndante një shtet, madje një qytet në dy pjesë. Megjithëqë hija e murit rëndonte mbi çdo gjermano-lindor, kishte edhe nga ata, më të guximshmit, të cilët tentuan të kalonin përtej. Plot 136 prej tyre nuk mundën të kalonin, por mbetën të vrarë në kufi. Një histori rrëqethëse që dëshmon se ç’mund të sjellin diktaturat në jetët e njerëzve. Pas këtij dokumentari, Fabian Schidt, analist për Evropën Juglindore në DW, ofroi eksperiencën e tij nga vitet, kur Gjermania ishte ende e ndarë. Krahas “reflektimeve mbi rënien e murit”, Patrick Moore, analist dhe publicist foli për rolin e mediave të huaja për përmbysjen e sistemit komunist. Pjesë e këtij procesi ka qenë edhe Shqipëria. Analisti dhe publicisti Fatos Lubonja solli eksperiencën shqiptare të rënies së komunizmit në “Shoqëria shqiptare dhe muri i Berlinit”, ndërsa pedagogu në Universitetin e Tiranës, Kleart Duraj, për pasqyrimin që kjo ngjarje e madhe pati në mediat shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›