E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plumba mbi punonjësin e policisë

BERAT - Një efektiv i policisë së Beratit i shpëtoi për mrekulli një atentati me armë nga persona të paidentifikuar. Astrit Pirja, u qëllua me armë zjarri rreth orës 23.00, të mbrëmjes së enjtes, teksa po dilte nga banesa e tij për të marrë shërbimin në komisariatin e policisë Berat. Sipas dëshmisë së 38-vjeçarit, i cili aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe nën kujdesin intensive të mjekëve, gjithçka ndodhi në momentin që ai do hipte në automjetin tip “Fiat Punto” me targa BR 4225 A. Sipas burimeve zyrtare të policisë, Pirja ka dalë nga shtëpia rreth orës 23.00, për të marrë turnin e tretë. Në momentin që tentoi të hipte në makinë e tij, tip “Fiat Punto”, me targa BR 4225 A, ai u qëllua me 4 plumba, që mendohet të kenë dalë nga një pistolete, tip TT. Pirja është përpjekur t’i shpëtojë plumbave, duke u hedhur në një kanal të madh me ujë që ndodhej në afërsi të shtëpisë së tij dhe ky reagim instiktiv fatmirësisht solli që vetëm një prej këtyre plumbave t’i përshkojë krahun e majtë, ndërsa tre të tjerët shpuan pjesë të ndryshme të automjetit të tij. Rreth orës 23:30, Pirja u çua në spitalin e qytetit dhe një orë më pas, me ndërhyrjen e mjekëve i është ndërprerë hemorragjia e vazhdueshme nga krahu. Aktualisht efektivi i policisë, Astrit Pirja, babai i dy fëmijëve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën, në dhomën nr.8, të repartit të kirurgjisë të spitalit Rajonal të Beratit, nën ruajtjen e dy policëve, por ai ende nuk ka dhënë për kolegët e tij detaje me interes që mund të çonte në zbardhjen e ngjarjes. Policia po heton në disa pista në lidhje me këtë ngjarje, që nga detyra e Pirjes, problemet e mundshme brenda familjes e deri tek ndonjë gabim “shënjestre”.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›