Pluralizmi joefektiv dhe rasti
Thomas Carothers, i cili është dhe zv.presidenti i një organizate prestigjioze amerikane (National Endoëment for Democracy apo thjesht NED), me anë të një artikull të vitit 2002, synoi t’i jepte një drejtim tjetër literaturës predominuese rreth fenomenit të tranzicionit. Në artikullin e tij të titulluar “Fundi i Paradigmës së Tranzicionit”, Carothers e quante një thjeshtëzim të panevojshëm dhe tashmë të tejkaluar të konceptimit të tranzicionit si një fazë që karakterizohet nga vetëm tre momente: hapja, heqja e barrierave drejt progresit dhe konsolidimi. Faza e hapjes i referohet krisjes së brendshme që pëson lidershipi autokratik i mëparshëm, e cila pasohet më demokratizim të brendshëm të partisë-shtet. Kjo fazë, sipas autorëve kryesorë së Shkollës së Tranzitologjisë,sjell më pas atë që në anglisht quhet break-through dhe që konsiston më konkretisht në heqjen e barrierave politike, sociale dhe ekonomike, çka sjell dhe një demokratizim të jetës së vendit, që në fazën e tretë arrin dhe konsolidimin e tij të plotë. Faktikisht raste të tilla ideale, që t’i kenë përshkruar në mënyrë konsistente këto etapa, (pra që njëra çon drejt tjetrës), sot numërohen me gishtat e dorës, ndërsa shumica e vendeve gjenden të “kapura” në pozicione të ndërmjetme. Carothers veçon sidomos dy të tilla: pluralizmin joefektiv (feckless pluralism) dhe sistemet me fuqi të përqendruar (dominant-power systems).
Pa u zgjatur shumë, do veçoj vetëm disa nga karakteristikat kryesore të këtyre dy sistemeve. Në rastin e pluralizmit të paefektshëm, demokracia është larg të qenurit e konsoliduar dhe përfaqësimi i njerëzve rrallë shtrihet jashtë mundësisë bazike të pjesëmarrjes në votime. Elita politike në përgjithësi është e perceptuar si e korruptuar, e pandershme dhe që punon për vete, ndërkohë që njerëzit e thjeshtë ndjehen të margjinalizuar dhe nëpërkëmbur në dinjitetin e tyre personal. Po ashtu performanca ekonomike është e dobët dhe partitë zakonisht udhëhiqen nga kulti i liderit dhe jo baza apo platforma ideologjike. Ndërsa, në vendet ku fuqi të përqendruar apo dominuese, hapësira politike për grupet e opozicionit, qofshin këto politike (pra opozita) apo shoqëria civile dhe media, është akoma më e vogël. Alternimi i pushtetit me mjete konstitucionale, duket pothuajse i paimagjinueshëm dhe pushteti fillon të konsolidohet gradualisht rreth një grupi të vogël njerëzish. Zgjedhjet ndodhin, por shpesh manipulohen me mjete të drejtpërdrejta dhe indirekte ndërkohë që mjetet e propagandës vihen gradualisht në dispozicion të pushtetit.
Gjithsesi, për t’iu rikthyer shkurtimisht rastit shqiptar, duke iu referuar indikatorëve të lirisë politike, ekonomike dhe kështu me radhë (të organizatave ndërkombëtare si Freedom House apo Transparency International), jo vetëm që nuk vëmë re ndonjë përmirësim të ndjeshëm në drejtim të shifrave dhe lëvizjes lart në shkallën e lirisë, por, përkundrazi, në disa raste hasim dhe shenja regresi. Një rast i tillë është “gjoba” e fundit vënë Televizionit A1, e cila e kamufluar si një faturë elektrike është joproporcionale dhe bie në kundërshtim me premtimet elektorale të Kryeministrit aktual për krijimin e kushteve sa më të favorshme për mediat. Aq më tepër situata bëhet paradoksale kur ERE, që është institucioni kontrollues shtetëror, ka mbështetur logjikën që fatura e KESH-it është jashtë çdo lloj proporcioni racional, duke shkaktuar një kundërvënie institucionale që duhet ta bënte KESH-in të reflektonte dhe tërhiqej përpara një sulmi të pamotivuar ndaj një prej mediave të grupit mediatik më të rëndësishëm në vend. E njëjta gjë u vu re kohë më parë edhe me Televizionin TopChannel, të cilit iu faturua një gjobë tjetër, por që më pas kaloi me heshtje. Këto janë simptoma të një demokracie që nuk ka kaluar ende plotësisht etapat e tranzicionit dhe duhet, në radhë të parë, vullnet politik dhe guxim në përballjen me kritikat konstruktive (sidomos kur këto vijnë nga media të pavarura), në vend të ndëshkimit joproporcional të tyre, në mënyrë që demokracia të arrijë fazën e maturimit aq të dëshiruar dhe vazhdimisht të artikuluar. I takon instancave më të larta vendimmarrëse, sidomos Kryeministrit, që të ndërhyjë për garantimin e lirisë së medias, pasi kjo është sine qua non për demokracinë ende të brishtë shqiptare.