E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Në Strasburg s’morëm ultimatum



ADI SHKEMBI

Në darkën e Strasburgut nuk është dhënë asnjë ultimatum për zgjidhjen e krizës. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e radhës së Qeverisë, ku hodhi poshtë pretendimet e disa prej eksponentëve të opozitës se në takimin e javës së kaluar të jetë vendosur ultimatum. Sipas tij një qeverie të dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund t’i vendosen ultimatume. “Një gjë dua t’ju garantoj ju, se nuk ka pasur, në mënyrë kategorike dhe absolute asnjë ultimatum. Se një vendi të lirë dhe një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm nuk mund të imagjinojë kush të japë ultimatume. çdo interpretim i kësaj natyre është tërësisht interpretim primitiv, thellësisht primitiv. Ne jemi një qeveri legjitime, e dalë nga zgjedhjet më të mira në historinë e këtij vendi, nga zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat kanë plotësuar standardet më kryesore të OSBE/ODIR-it”, u shpreh kreu i Qeverisë shqiptare. Sipas Berishës “ata që imagjinojnë se kësaj qeverie i qenkan dhënë ultimatume, atyre i kanë mbetur ora në kohërat më të vështira të këtij vendi. As edhe një ultimatum”.
Darka
Duke informuar kabinetin qeveritar mbi darkën e javës së kaluar përveç kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, ishin të pranishëm edhe krerët e grupeve parlamentare të djathta e të majta në Parlamentin Evropian dhe Komisioneri i Zgjerimit, kryeministri Berisha ka bërë sërish kujdes që të mos nxjerrë më shumë detaje. Ai e ka vlerësuar takimin në restorant “Crocodille” si pozitiv ku u vu theksi te zbatimi i Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. “Meqenëse e kanë qarkulluar këtë gjë me kaq pasion, përkundrazi janë diskutuar opsione, për të cilat, për shkak të karakterit të tryezës, pasi ajo ishte një darkë pune, nuk kam marrë dhe nuk marrë përsipër t’i bëj publike, por ka spikatur dhe spikat në mënyrën më të qartë vendosmëria për të respektuar Kushtetutën e këtij vendi, për të respektuar ligjet e këtij vendi, për të pasur dialog të padiskutueshëm midis forcave politike, për të studiuar të gjitha hapësirat e mundshme dhe për të arritur në një zgjidhje të ngërçit të krijuar, por jashtë çdo lloj konteksti të një borxhi ndaj ndokujt”, vijoi më tej kryeministri. Në të njëjtën kohë ai konfirmoi qëndrimin e maxhorancës për t’i ofruar pakicës parlamentare shumicën në komisionin hetimor, i cili do të bëjë edhe transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Mbi bazën e këtij sensi përgjegjësie janë ofruar pa asnjë lloj kompleksi. është ofruar vullneti për të marrë pjesë në komisionin hetimor, ç’ka s’ka asnjë detyrim, por sigurisht ka një detyrim moral ndaj opozitës deri sa të fton, dhe të tjera që dihen. Nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk mund të ketë ultimatum. Ata që i mbahen doktrinës së ultimatumeve mund tu them se nuk u shërben. Doktrina e ultimatumeve është një doktrinë e papajtueshme me dialogun, është doktrinë e papajtueshme me kompromisin. Duhet ta studiojnë mirë politikën dhe të shohin se kur hyjnë në fuqi ultimatumet dhe në cilat rrethana aplikohen ato”, vijoi më tej kreu i ekzekutivit. Përfaqësuesit e Komisionit dhe Parlamentit Evropian i kërkuan kryeministrit Berisha dhe kreut të PS-së, Edi Rama që brenda një periudhe 2 javore të arrijnë konsensusin për daljen e vendit nga kriza politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›