Pronat, AKKP s’prek vendimet e hershme
Erald Kapri
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk do të ketë të drejtë të tjetërsojë apo kthejë vendimet e dhëna më parë, për kthim apo kompensim prone.Gjykata Kushtetuese zbardhi dje vendimin për rrëzimin e dy neneve të ligjit 10207, që u miratua nga Kuvendi në fund të vitit 2009. Ky ligj bënte disa ndryshime në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, duke i lënë të drejtë Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave që të rishihte vendimet e mëparshme të pronave, dhënë nga ish Komisionet për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Në ndryshimin e neneve 15 dhe 16 të ligjit bazë, Kuvendi përcaktoi se “AKKP-ja mund të shqyrtojë, me nismën e vet, vendimet e dhëna nga zyrat rajonale të AKKP-së në qarqe apo të ish-komisioneve vendore të rretheve a bashkive, për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve, që për shkak të shkeljeve flagrante të ligjit të kohës, këto vendime i bëjnë absolutisht të pavlefshme”. Këto nene, Gjykata Kushtetuese i cilësoi si të papajtueshme me Kushtetutën e vendit. Në këtë mënyrë, Agjencia e Pronave nuk do të mundë të rishikojë vendimet e ish KKKP-ve.
Vendimi
Ankimimi në Gjykatë u bë nga Avokati i Popullit, i cili kërkoi shfuqizimin e këtij ligji. Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj, shprehet se AKKP-ja si organ administrativ nuk mund të kthejë mbrapsht vendimet që kanë dhënë ish KKKP-të. Sipas gjykatësve kushtetues, ish KKKP-të, jepnin vendime që ishin të barasvlershme me vendimet e gjykatave në vend. “Në këto kushte, kur një person vinte në lëvizje me kërkesë KKKP, kjo kërkesë ishte e barazvlershme si të ishte bërë para gjykatës dhe vendimi KKKP ishte në gjendje që të krijonte tek individi të njëjtën pritshmëri që krijon një vendim gjyqësor, i cili i njeh individit pronësinë mbi një send. Në këtë përfundim ka arritur edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në çështjen “Viasu” kundër Rumanisë, Ramadhi apo Hamzaraj, kundër Shqipërisë, duke barazuar vendimin e KKKP me një vendim gjyqësor, i cili krijon pritshmërinë e ligjshme tek individi se ose do të vihet në posedim të pronës, ose do të dëmshpërblehet”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata arrin në përfundimin se KKKP-të nuk ishin organe administrative në kuptimin klasik juridik të termit. Ato nuk ishin të përfshira në piramidën e ekzekutivit, dispononin në lidhje me të drejta subjektive të shtetasve dhe vendimet e tyre kontrolloheshin drejtpërsëdrejti nga gjykatat në një gjykim që nuk ishte i njëjtë me atë në lidhje me pavlefshmërinë e aktit administrativ. Më tej thyhet se “zbatimi, nga një organ administrativ si AKKP, i parimeve të revokimit dhe shfuqizimit të akteve të ish KKKP është i pabazuar, pasi mungon një interes i ligjshëm shtetëror dhe aktet që shfuqizohen ose revokohen nuk janë akte tipike administrative të një organi tipik administrativ. Drejtori i AKKP është një organ në vartësi të Këshillit të Ministrave dhe në këtë kuptim vendimi i marrë prej tij, për të ndërhyrë mbi interesa civile të shtetasve, në kuptim të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut është i pajustifikuar”.
Nenet e ligjit të pronave të rrëzuara nga Gjykata
Neni 15
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave
1. Për zbatimin e këtij ligji ngarkohet Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, person juridik publik, në vijim AKKP, me qendër në Tiranë. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kryen këto detyra dhe përmbush këto përgjegjësi:
c) Përfundon shqyrtimin e ankimeve, që gjenden të depozituara në AKKP, nga Zyra e Avokaturës së Shtetit, për vendimet e njohjes së të drejtës së pronësisë, kthimit ose kompensimit të pronës, si dhe të të drejtave të tjera reale të ish-zyrave rajonale të AKKP-së në qarqe, të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe të ish-komisioneve të rretheve a bashkive, për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve.
Pas shqyrtimit të vlerësimit të ankimit, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, brenda 3 muajve nga nisja e procedimit të ankesës, vendos:
- rrëzimin e ankesës;
- shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes.
ç) Përfundon shqyrtimin e verifikimit të vlefshmërisë ligjore të rasteve, për të cilat Drejtori i Përgjithshëm, me nismën e vet ose kryesisht, ka urdhëruar shqyrtimin e tyre. Pas vlerësimit e shqyrtimit, me nismën e vet ose kryesisht, të rastit të urdhëruar, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, brenda 3 muajve nga nisja e procedimit të ankesës, vendos:
- lënien në fuqi të vendimit;
- shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes.
d) Mund të shqyrtojë, me nismën e vet, vendimet e dhëna nga zyrat rajonale të AKKP-së në qarqe apo të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe të ish-komisioneve të rretheve a bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve.
dh) Vlerëson rekomandimet e autoriteteve të ngarkuara për monitorimin e zbatimit të ligjit.
Pas vlerësimit, sipas shkronjave “d” dhe “dh”, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së vendos:
i) mosfillimin e procedimit të verifikimit të ligjshmërisë;
ii) fillimin e verifikimit të ligjshmërisë së vendimeve të zyrave rajonale të AKKP-së në qarqe apo të vendimeve të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe të ish-komisioneve në rrethe a bashki për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve, duke vendosur:
- lënien në fuqi të vendimit;
- shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes.
Neni 16
Shqyrtimi i vendimit kryesisht
1. AKKP-ja përfundon shqyrtimin e ankimeve kundër vendimit të njohjes së të drejtës së pronësisë, të kthimit ose kompensimit të pronës, si dhe të të drejtave të tjera reale të ish-zyrave rajonale të AKKP-së në qarqe, të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe të ish-komisioneve të rretheve a bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve.
2. AKKP-ja mund të shqyrtojë, me nismën e vet, vendimet e dhëna nga zyrat rajonale të AKKP-së në qarqe apo të ish-komisioneve vendore të rretheve a bashkive, për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve, të cilat, për shkak të shkeljeve flagrante të ligjit të kohës, i bëjnë këto vendime absolutisht të pavlefshme”.