E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pluton Vasi: Filmi im i ri, luftë mentalitetesh

 

Alma Mile

Pa shijuar deri në fund reagimin pozitiv që ngjalli filmi i tij "Shqe-tësimet e një obezi", ia nisi me një tjetër projekt. Sërish një komedi dramatike, ku nuk shfaqet një Shqipëri ekzotike, por probleme që i ndesh çdo ditë. Në fillim të tetorit, regjisori Pluton Vasi, autor i dokumentarëve "Lojë botash", "Gjitonitë", "Mjekër e thinjur", etj., nis xhirimet për filmin e tij të ri artistik "I huaji", me skenar të Luljeta Lleshanakut. Ndërsa na tregon për filmin e ri, Vasi rrëfehet edhe për filmin e tij që vazhdon xhiron në festivale ndërkombëtare, "Shqetësimet e një obezi". Ndërsa ka marrë vetëm vlerësime pozitive, regjisore do të donte të dëgjonte dhe një mendim ndryshe. Sipas tij, kritika nuk mungon në Shqipëri, por nuk flet, pasi nuk dëshiron të cenojë "idhujt".
I realizuar me një buxhet modest, "Shqetësimet e një obezi", po shfaqet në shumë festivale ndërkombëtare, cila është historia e krijimit të tij?
Shtytja për të bërë këtë film erdhi nga një autor francez, George Courtalin. Prej një viti e gjysmë i rrinim mbi kokë bashkë me Marjana Kondin dhe në fund vendosëm se ishte pikërisht momenti për ta nisur. Filmi është xhiruar në kushte shumë specifike, sa i përket vështirësive që hasëm. Është xhiruar në një kohë shumë të shkurtër, brenda 1 muaj e gjysmë me një buxhet minimal, më shumë me ndihma vullnetare. Nga ana tjetër kjo edhe të gëzon sepse tregon që ka ende pasion dhe e gjithë trupa ka punuar me një përkushtim shumë të madh. Filmi pati një premierë mes miqsh në muajin dhjetor, për të nisur udhëtimin në shumë festivale, apo përballje punësh. Në fund të majit ishte në një korpus hollivudian, "Swansea bay", nën kujdesin e Catherine Zeta Johnes dhe Michael Sheen, ku u renditëm në tre më të mirët. Filmi ka marrë çmimin e artë në festivalin e Las Vegasit, "Asi i artë", ishte në Montreal në seksionin "Fokus mbi kinemanë botërore", ndërsa nesër (sot) shfaqet në Xhorxhia të Amerikës.
Si u prit filmi në Tiranë?
Për mua janë shumë të rëndësishme mendimet dhe opinionet e shkëmbyera mes miqsh, artistësh, publicistësh. Sa çka pasur heshtje, ndoshta për shkak të moskuptimit, aq edhe është mbështetur. Shumë kolegë nisën të heqin paralele me njerëz konkretë, apo të shohin veten. Ka diçka autobiografike, të komunitetit tonë të artit, gazetarisë, etj. Në momente të caktuara ka edhe ngjashmëri fizike, por janë asosacione personale. Kjo tregon se ka pasur një impakt tek ata që e kanë parë.
Ju kanë ardhur kritika?
Nuk kanë ardhur deri tek unë. Ka ardhur koha që gjërat duhen thënë. Një vepër arti ka nevojë për kritikë. Unë e shoh si mungesë oksigjeni. Ky është një minus për komunitetin artistik. Nuk jam i idesë që këtu mungon kritika. Këtu kritika nuk prononcohet. Nuk është se gjërat nuk kuptohen, por është krijuar një rreth që nuk duhet prekur. Ekziston një lloj "idhujtarie", që nuk duhen prekur disa "idhuj" në fushën e artit. Filmi e prek pak edhe këtë çështje, për njerëzit që rrinë në ajër dhe mendojnë që janë shumëkush. Në të vërtetë anatomia e marrëdhënieve njerëzore është e njëjtë për të gjithë, pavarësisht profesioneve. Kjo preket në film në krizën e personalitetit të vetë personazhit, i cili duke bërë një dokumentar zbulon se këtë gjendje amorfe që ekziston në gjithë shoqërinë shqiptare e ka edhe ai në marrëdhënie me gruan. Dhe kjo nuk është fare e stisur, sepse ne kemi pyetur dhe kemi xhiruar në mënyrë spontane dhe mendoj se pikërisht tek vërtetësia qëndron edhe vlera e këtij filmi, i cili pati atë goditje.
Përse ju duhej pyetja mbi ndikimin e hyrjes në NATO në divorce?
Kjo ishte një ndër pyetjet që më bënë në Angli. Për të qenë më komod, u tregova mbi një film, ku luan Richard Gere, që tregon për ndikimin që pati zbarkimi i trupave ushtarake amerikane në Irlandë, ku pati shumë divorce. Mbaj mend në vitet '92-'93, kur në Durrës erdhi një fregatë amerikane, një ushtar me ngjyrë u plagos, sepse shkëmbeu një vështrim me të dashurën e dikujt. Por nuk është kjo ngjarje banale që më ka nxitur në gjithë këtë. Dua të them që ne më së shumti jetojmë atë që duhet të jetojmë dhe jo veten.
Ndërkohë jeni gati të nisni xhirimet për filmin tuaj të ri, ç'mund të na thoni?
Përpara dy vjetësh kam fituar mbështetjen e Qendrës Kinematografike me një skenar të Luljeta Lleshanakut. Ishte një tregim që mua më tërhoqi vëmendjen dhe kemi punuar gjatë mbi të. Kemi ngritur stafin, kemi përgatitur sheshxhirimet dhe në fillim të tetorit fillojmë xhirimet. Rreth 70-80% e xhirimeve zhvillohen në Petrelë, një pjesë në bordin e një avioni, pasi filmi zhvillohet brenda 1 orë e gjysmë fluturimi nga Shqipëria në vendin ku ai kthehet. Pasi fati i personazhit është i tillë. Si edhe disa skena në Durrës.
Çfarë teme trajton filmi?
Bëhet fjalë sërish për një komedi dramatike, ku trajtohet tema e përplasjes së mentaliteteve. Është historia e djalit të një ish të përndjekuri politik, që ka jetuar për një kohë të gjatë jashtë vendit. Kur dikush sjell diçka të re do të kalojë patjetër mes përplasjesh dhe vështirësish në komunitetin tonë. Futja e së resë ka gjithnjë koston e vet.
Mund të na e zbuloni kastin e aktorëve?
Nuk do të doja të flisja tani për emra. Nuk bëhet fjalë për aktorë me emër. Nuk e kisha qëllim në vetvete, të mos i përzgjidhja të tillë, por për mua nuk ka rëndësi emri se sa të gjej njerëz, me të cilët të komunikoj lehtësisht me ta dhe jo të vijnë në sheshxhirim duke imponuar emrin e tyre, apo duke menduar se ata janë të parët.
Nuk mendoni se kjo ndikon edhe në shikueshmërinë e filmit, pasi publiku është mësuar me disa aktorë…
Kam përshtypjen se publiku duhet të mësohet me profesionin dhe jo me atë që ka në kokë. Nëse publikut i është mbushur mendja se Marlon Brando është aktori më i madh, Brando vdiq, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të shkojmë në kinema. Tashmë ka ikur koha e idhujve. Filmi ka mesazh dhe qëllim tjetër. Filmi është puna e një grupi njerëzish, që duan të japin një mesazh ndaj dhe puna mes tyre duhet të jetë bashkëpunuese.
Sërish një komedi dramatike, përse kjo prirje ndaj këtij zhanri?
Në fakt kjo ka të bëjë me natyrën e njeriut. Është organike e vetë krijuesit. Sigurisht që ka edhe nota dramatike në krijimet e mija. Nuk ka lot, pasi kam parimin që të mos qajë as aktori dhe as spektatori, por të dy të "merren vesh" për të dalë në një konkluzion. Është e lehtë t'i bësh njerëzit për të qarë dhe më vështirë t'i bësh të qeshin. E qeshura ka të bëjë me intelektin.
Sa herë që nisni një film thoni se i keni hyrë një aventure…
Nuk e them për trishtim, por sepse infrastruktura shpirtërore për të prodhuar një vepër arti në Shqipëri ka shumë probleme. Është ngatërruar pasioni me komercializimin. Këto të dyja duhet të qëndrojnë bashkë dhe jo të hanë njëra-tjetrën. Ndonëse përpiqemi të vendosim gjithçka në rrugë ligjore, gjithnjë jemi në prag të prishjes së rregullave të lojës. Komuniteti ynë ka një kod dhe duhet të funksionojë mbi të.
I hasni të njëjtat probleme edhe si dokumentarist?
Nuk ka si dokumentari! Grupi i xhirimit përbëhet vetëm nga 4-5 vetë, komunikimi është më i thjeshtë dhe punët shkojnë shumë më mbarë. Dokumentari hyn në jetën e njerëzve, komunikon, është i drejtpërdrejtë. Ndërkohë që vetëm grupi i xhirimit në një film artistik është 20 vetë, të cilët duhet t'i bindësh për punën që ke marrë përsipër. Nëse filmi artistik është si një martesë, ku përgjysmohen të drejtat dhe shumëfishohen detyrimet, dokumentari është si dashuria, që edhe nëse nuk del një herë në takim, merresh vesh. Sepse dashuria mban vetveten.

Luftë botësh
"I huaji" ngrihet mbi tregimin "Tullacja" të poetes Luljeta Lleshanaku. Ngjarjet zhvillohen në një qytezë, ku ujërat trazohen pikërisht në momentin e ardhjes së të "huajit", të Samiut, djalit të një ish të përndjekuri, që po çon në vend amanetin e të atit, për ta varrosur në vendin e lindjes. Samiu, që në Paris kishte një permanent, vendos të ngrejë një të tillë edhe në qytet. Në mënyrën e tij ai "zbukuron" qytetin, i cili fillon të "zbërthehet" dhe të nxjerrë të "fshehtat" e veta. Portretizohen karaktere si Maja, ish-liceistja e bukur, e lakmuar në heshtje nga të gjithë burrat e qytetit, bashkëshorti i saj inxhinier, dy vajzat e saj, shefi i policisë… Ngjarja e 11 shtatorit është ende shumë e freskët dhe lufta kundër terrorizmit është në plan të ditës. Në të tilla kohëra, Samiu mund të jetë një terrorist i mundshëm. Ka protesta ndaj tij, kontrolle policie, dhunë verbale, por "i huaji" i përgjigjet kësaj "fushate" zilie me një tjetër kulturë. Asgjë nga këto nuk e detyroi të largohet nga erdhi, përveç protestës së një vajze të vogël, që kërkon nga ai të mos i prishë familjen. I hipën avionit dhe ikën. Filmi fillon pikërisht këtu. Ai i tregon ngjarjen stjuardesës, që i shëmbëllen si Maja. I thotë asaj gjithë gjërat që nuk mundi t'ia thoshte asaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›