E Diel, 1 Nëntor 2026

Peshkaqen gjigant në ujërat e Jonit, 8.5 metër i gjatë

 

SARANDE/ SHPRESA DINE

Një peshkaqen gjigant kapet 1.5 milje larg bregut të Jonit. Plot 8.5 m i gjatë dhe peshë 850 kg, mendohet se grabitqari i detit kishte zgjedhur ujërat e ngrohta tona për të nxjerrë këlyshët.
 Gjatë copëtimit të peshkaqenit u gjetën rreth 100 të tillë. Peshkatari sarandiot, Pëllumb Canaj, tregon aventurën e ndodhur mbrëmjen e së shtunës.
Ku ndodheshit kur konstatuat se në rrjetën tuaj kishte rënë gjah i rrallë?
Ishte perëndim dielli. Ndodheshim rreth 1.5 milje larg nga bregu, përballë Lukovës, ku thellësia e detit arrinte deri në 80 metër. Pasi bëra disa shërbime në makineritë e anijes, dola në kuvertë për të parë gjendjen e rrjetave. Në çast ndjeva një tronditje dhe anija në moment u anua nga njëri krah. Hodha sytë rreth e rrotull për ta parë se çfarë po ndodhte. Dëgjova me kujdes zhurmën e motorëve të anijes, pasi fillimisht dyshova se zhurma mund të vinte nga ndonjë defekt në motorët e saj. Por edhe kjo nuk doli.
Thirra ekuipazhin e anijes dhe filluam të mblidhnim rrjetat. Pesha që kishte rrjeta bënte që arganellot të kërcisnin e të rënkonin, duke u mbështjellë me vështirësi. Habia e të tërëve sa vinte e shtohej. Fillimisht mbi sipërfaqe të ujit doli një bisht, jo i zakonshëm, gjigant. Atëherë kuptuam se në rrjetat tona kishte rënë një peshkaqen. Tërhiqnim rrjetat dhe ende nuk e kishim idenë se sa ishte madhësia e tij, edhe pse nga tronditja në anije kuptuam se kishim të bënim me një peshë gjigante.
Si u shfaq peshkaqeni në sytë tuaj?
Dalëngadalë në sipërfaqe të ujit filloi të dilte tërësisht trupi i peshkaqenit. Ishte vërtet në përmasa të panjohura më parë nga ne, së paku në këto vitet e fundit. Ngadalësova xhirot e makinerisë dhe vinçi vijonte të mblidhte kavon e pas saj rrjetat. Peshkaqeni çuditërisht ulërinte, por gjithsesi dukej shumë i lodhur. Bishti ishte në krye të urës kur koka ende nuk kishte dalë në kuvertë të anijes. Filluam ta tërhiqnin pak e pak dhe në momentin që u vendos i tëri mbi anije pamë bashkë me shokët e mi se kishim kapur një peshkaqen të përmasave jo reale së paku për vitet e përvojës tonë në det. Bishti i peshkaqenit qëndronte mbi urë ndërsa trupi i tij në kuvertë. Që në çastin e parë të kapte një tmerr, duke e parë me atë gojën e tij të stërmadhe dhe luspat po aq të mëdha.
Çfarë bëtë në atë moment?
Si gjithmonë kur biem në pre të tilla, qofshin breshka apo kafshë të tjera të përmasave të mëdha, filluam të bënim matjet. Fillimisht peshën e peshkaqenit në det të hapur nuk kishim mundësi ta përcaktonim. Matjet treguan se kishim të bënim me një peshkaqen me përmasat 8.5 metër i gjatë dhe me një perimetër më shumë se 3 metër. Vetëm flatrat e bishtit ishin mbi gjysmë metër të gjata. Kuptuam se peshkaqeni vinte nga thellësitë, ndoshta edhe nga oqeani. Gjykimin tonë se ardhja e peshkaqenit në këtë vend që ra në rrjetën tonë ishte jo për të gjetur një vend ku të qëndronte gjatë, po fakti për të nxjerrë këlyshët, pasi vumë re se preja e rrjetave tona ishte femër. Zona ku ne peshkuam peshkaqenin është shumë e qetë dhe e ngrohtë. Peshkaqeni deri në liman ishte ende i gjallë. Kur e shkarkuam në breg atëherë ngordhi.
Më vonë çfarë bëtë me të?
Filluam ta thernim. Fillimisht premë kokën e peshkaqenit, e cila peshonte 80 kg. Kokën e hodhëm në det. Kur i çamë barkun pamë se në të ndodheshin rreth 100 peshkaqenë të tjerë të vegjël. I peshuam pjesët dhe doli se pesha e tij ishte 850 kg. Një mjet i mori për t’i tregtuar në qytetin e Vlorës se mishi i tij është i ngrënshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›