Pas skandaleve, përçarjet me Finin; kryeministri italian në vështirësi
“Seks, skandale dhe përçarje në parti”, kështu e nis “Sunday Telegraph” artikullin dedikuar kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, emri i të cilit po lakohet shpesh në të gjithë mediat e botës, nga Amerika në Australi. Pas përplasjeve me Kishën Katolike, shtypin ndërkombëtar dhe Bashkimin Evropian, Silvio Berluskoni tani rrezikon të bëjë një armik akoma më të frikshëm, aleatin e tij më të ngushtë politik, Gianfranko Finin, numri dy i Pdl dhe president i Dhomë Përfaqësuese, shkruan gazeta britanike. Përçarjet me Finin kanë rritur ndjesinë e krizës në qeverinë e qendrës së djathtë dhe kanë intensifikuar supozimet se pas 15 vitesh në linjën e parë të politikës italiane, kontrolli i Berluskoni është dobësuar, shkruan “Telegraph”. Sipas gazetës një stinë me “skandale seksi” po ia lë radhën “një vjeshte me antagonizëm si me kundërshtarët ashtu edhe me miqtë e tij”. Gazeta britanike përmend ekzagjerimet dhe deliriumet e kryeministrit italian, ku vetëm në javën e fundit është krahasuar me Supermenin, është vetë-krahasuar me një toreador që shtyn sulmet e demave të zemëruar nga shtypi italian, ka thënë se italianët ëndërrojnë të jenë si ai dhe se ai është kryeministri më i mirë i Italisë në 150 vite histori. Gazeta nuk lë pa përmendur edhe festat në vilën e Berluskonit me vajza të reja, ku pjesa më e madhe e tyre ishte nga Evropa Lindore apo Amerika e Jugut, duke ngritur pyetjen se “takimet e Berluskonit mund të ishin shantazhe nga fuqi të huaja”. Artikulli kujton se Gjykata Kushtetuese në Itali mund të anulojë ligjin, që i jep Berluskonit imunitet nga veprimet gjyqësore. Dje Berluskonit i kanë dedikuar nga një faqe edhe “Observer”, “Sunday Times”, “Evening Standard”.