E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtinë, protesta kundër qeverisë për protokollin

 

Njëzetetre organizata joqeveritare bashkë me mijëra qytetarë do të protestojnë sot në rrugët e Prishtinës kundër protokollit dhe qeverisë, pasi kjo e fundit ishte e paaftë të ndalte nënshkrimin e marrëveshjes EULEX-Serbi. Mes organizatave jo qeveritare është edhe lëvizja “Vetëvendosje”. Lideri i saj, Albin Kurti, ka qartësuar se ata nuk janë kundër Bashkimit Evropian, por kundër EULEX-it dhe protokollit me Serbinë. Sipas Kurtit,po ndodh ajo që ata kishin parashikuar në dhjetor të vitit të kaluar, “po zbatohet plani famëkeq 6 pikësh i Sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të bashkuara, Ban Ki Mun. Protesta ishte programuar për të mërkurën, por plani ndryshoi pasi protokolli u nënshkrua papritmas ditën e premte. OJQ-të akuzojnë qeverinë për butësinë e saj në reagimin kundër këtij plani, vetëm me deklarata mediatike. Serbia dhe EULEX-i tashmë po përgatisin dy protokolle të tjera për Gjyqësinë dhe Doganat. Protestat priten të jenë të forta dhe të ngjashme me ato të 2 dhjetorit, kur rreth 40 mijë qytetarë dolën për të protestuar kundër gjashtë-pikëshit. Por kësaj radhe pritet të marrin pjesë edhe më shumë njerëz. “Nën organizimin e 22 organizatave shoqërore që veprojnë në Kosovë, do të mbahet demonstrata gjithëpopullore kundër protokolleve EULEX-Serbi dhe kundër hipokrizisë së krerëve institucionalë të Kosovës. Kjo demonstratë është për sovranitet”, thuhet në një komunikatë për opinionin të lëshuar nga përfaqësuesit e organizatave që kanë thirrur demonstratën. Sipas komunikatës, demonstrata do të fillojë në ora 12:00, nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës në Prishtinë, për të vazhduar drejt objekteve të Institucioneve të Kosovës: Kuvendit, Qeverisë dhe Presidencës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›