Vrau në mes të tregut, dorëzohet 24-vjeçari
SHKODER - Pasi ka qëndruar i fshehur plot 1 vit vendos të vetëdorëzohet në polici i kërkuari për vrasje. Besmir Dhampiraj akuzohet nga policia se së bashku me të vëllanë, Ermalin, më 9 shator të vitit 2008 kanë qëlluar për vdekje Hysni Shpuzën. Policia menjëherë pas krimit ndaloi një prej të akuzuarve. Sipas deklarimeve të policisë së Shkodrës, Hysni Shpuza, 45 vjeç u vra me 6 plumba në tregun e fruta-perimeve, shtatorin e kaluar nga vëllezërit Ermal dhe Besmir Dhampiri. Shkak për këtë ngjarje ka qenë refuzimi që viktima i kishte bërë fejesës së vajzës së tij 15-vjeçare me njërin prej vëllezërve Dhampiri. Që prej asaj kohe, dy familjet, fqinje mes tyre, nuk kanë gjetur paqe, pasi vëllezërit Dhampiraj shkaktuan disa ngjarje, duke qëlluar dhe 3 vite më parë ndaj familjes Shpuza. Atëherë, mbeti i plagosur vëllai i viktimës. Disa herë policia ka ndërhyrë, duke ndaluar vëllezërit Dhampiraj, derisa një vit më parë, ata organizuan dhe krimin në mes të qytetit të Shkodrës. r.d