Tritol në lokalin e ish-policit, shpëtojnë njerëzit, dëme materiale
FIER – Eksploziv lokalit të ish-policit. Paraditen e djeshme dy shpërthime janë dëgjuar në lagjen “Kryengritja” e Fierit, për fat pa lënë të lënduar. Menjëherë është konstatuar nga policia se shpërthimi kishte ndodhur në ambientet e dyqanit në pronësi të ish-kolegut të tyre të rendit, Mynyr Buzi. Një dëshmitare pohoi se në atë orë po nxirrte fëmijët e djalit për shëtitje dhe nuk kishte vënë re asgjë të dyshimtë. “Ishin dy burra nga ana tjetër e rrugës, por mendova se kishin ardhur për të pirë ndonjë gjë tek lokali. Papritur dëgjova një zhurmë tronditëse dhe u tmerrova, por më tepër nipërit e vegjël. Mbi kokë na ranë disa cifla xhami, ndërsa ndodhi shpërthimi i dytë. Mora fëmijët dhe me shpejtësi të madhe u largova nga pas godinës dhe dola vetëm kur më thanë se gjendja ishte qetësuar. Kemi frikë të dalim dhe në mes të ditës”. Bazuar te dëshmitë, dyshohet se tritoli ka qenë i shpërndarë në dy pika, duke u provokuar shpërthimet radhazi. Nga ana e policisë kanë nisur hetimet në disa pista, ku kryesorja është ajo e ndonjë inati të vjetër për shkak të detyrës që ka mbajtur Buzi disa vite më parë, ose për shkak të rivalitetit në biznes. Sipas banorëve të zonës, prej momentit të hapjes së lokalit aty kishte shumë klientë. Në ambientet e komisariatit janë shoqëruar disa të rinj, banorë të lagjes si dhe tregtarë të zonës, por ende nuk është dalë në një përfundim. Pas ngjarjes mësohet se familja e ish-policit është larguar nga banesa për pak kohë, me qëllim shmangien e ndonjë incidenti tjetër. Buzi ishte larguar nga detyra për shkak të moshës, duke iu përkushtuar aktivitetit privat. Prej 10 vitesh mësohet se funksiononte lokali në lagjen “Kryengritja”, por gjatë kësaj kohe nuk ka pasur ndonjë incident. m.r