Patrulla e Përgjithshme, ikin me dëshirë 63 policë
TIRANE - Pakënaqësitë në lidhje me rrogën e ulët dhe mospagimin e orëve të natës, por edhe pamundësitë për t'u ngritur në karrierë, kanë detyruar të paktën 63 punonjës policie të Patrullës së Përgjithshme në Tiranë, që të japin dorëheqjen. Sipas burimeve nga policia, efektivët kanë kërkuar lirimin nga puna me dëshirën e tyre, me argumentime të ndryshme. Madje, largimet nuk kanë qenë vetëm nga radhët e policëve që ishin stabilizuar nëpër komisariate, por edhe në radhët e atyre që sapo kanë mbaruan praktikën në terren të Shkollës së Policisë. Mësohet se 30 prej praktikantëve janë larguar pa e veshur ende uniformën e policisë. Sipas disa prej policëve të Patrullës që janë larguar nga puna, mësohet se vendimi është marrë nga disa pakënaqësi që lidhen me punën e tyre. E para lidhet me pagën e ulët, e cila nuk është e mjaftueshme për ta, duke qenë se shumica janë nga rrethet dhe banojnë me qira në Tiranë, por edhe vonesa për marrjen e orëve të natës, që në shumicën e rasteve nuk janë marrë. Edhe pamundësia për të pasur një punë të dytë, e cila tashmë është e sanksionuar në ligjin e policisë, ka detyruar disa nga efektivat e Patrullës së Përgjithshme që të japin dorëheqjen. Sipas disa efektivëve që tashmë kanë dorëzuar armët dhe uniformën e policisë, paga prej 31 mijë lekësh është e pamjaftueshme për ta. Një tjetër justifikim i policëve të liruar lidhet edhe me faktin se ata janë në terren dhe kjo i bën që të shpenzojnë shumë para. Madje në disa raste, duke qenë se automjetet tip "Polo" të policisë, kanë qenë jashtë shërbimit, ata janë detyruar që të lëvizin me automjetet e tyre, të hetojnë dhe të gjurmojnë raste të ndryshme në ambiente të ndryshme, që kanë një kosto mjaft të lartë dhe të papërballueshme për ta. Këto pakënaqësi detyruan disa muaj më parë që të jepnin dorëheqjen edhe 25 policë të tjerë të Patrullës së Përgjithshme, por duke u nisur nga të tilla ankesa numri pritet të vijë në rritje. e.d