E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj emëron katër drejtorë

 

Fatos Mahmutaj

Ministri i Drejtësisë Enkeljed Alibeaj emëron katër drejtorët e Zyrave të Shërbimit të Provës në vend. Burime nga Ministria e Drejtësisë pohojnë se pak ditë më parë ministri Alibeaj ka firmosur emrat e Avdyl Spahiut, Ylber Gjetës dhe Astrit Hysit, në krye të drejtorive të Shërbimit të Provës, të cilat do të mbulojnë të gjithë territorin e vendit. Kështu, Spahiu do të drejtojë zyrën e kryeqytetit, kompetencat e së cilës shtrihen në rrethet: Tiranë, Kavajë, Krujë, Dibër e Bulqizë. Gjeta do të drejtojë zyrën e Durrësit, e cila përfshin edhe rrethet Korçë, Ersekë, Pogradec, Elbasan, Peqin, Gramsh, Librazhd. Zyra e Fierit në krye të së cilës është Hysi, përfshin të gjithë rrethet e Jugut, duke filluar nga Lushnja, ndërsa zyra e Shkodrës, mbulon rrethet Kukës, Has, Malësi e Madhe, Tropojë dhe Lezhë. Të katra zyrat do të kenë varësi nga Zyra Qendrore në Tiranë, e cila drejtohet prej Arben Sefgjinit, ndërsa institucioni ka varësi nga Ministria e Drejtësisë. Shërbimi i Provës është një institucion i ri që i shtohet sistemit të drejtësisë dhe që ka kompetencë vlerësimin e kushteve për vuajtje të dënimit apo dhënien e mendimit për masat e sigurisë. Kështu sipas ligjeve në fuqi gjatë seancave të masave të sigurisë tashmë do të shtohen edhe përfaqësuesit e Shërbimit të Provës, të cilët do të japin mendimin e tyre të argumentuar mbi masat e kërkuara nga prokurori që ka drejtuar hetimet paraprake. Po kështu përfaqësues të Shërbimit të Provës, do të jena ata që do të analizojnë kërkesat e të dënuarve, që u kanë mbetur më pak se dy vjet nga dënimi për ta shlyer atë me ndonjë nga format alternative që parashikojnë ligjet. Veç tjerash, Shërbimi i Provës do të analizojë sjelljen e të burgosurve në qeli, mundësitë e tij për t'u rehabilituar dhe rikthyer shoqërisë. Ndërsa më tej, pas lirimit, Shërbimi i Provës do të ndjekë ecurinë e zbatimit të vendimit gjyqësor që u rikthen lirinë të dënuarve. Nëse nuk do të zbatohen kushtet, atëherë përfaqësuesit e Shërbimit të Provës kanë kompetencë për të rikthyer sërish në qeli këta persona. Po kështu, të dënuarit rikthehen në qeli edhe nëse nuk paguajnë gjobat që iu jepen nga gjykata në momentin e lirimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›