Hajdaraga: Maqos do t’i ofrohen petulla me ujë
Anëtari i Asamblesë Kombëtare Luan Hajdaragaj, gjatë një interviste në Ora Neës tha se mandati i kryetarit të ri, që pritet të votohet në 26 shtator është i pjesshëm dhe jo katërvjeçar. Sipas tij, nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhë, do të jetë një rast i paprecedentë që nuk ndodh në asnjë parti moderne. “Kur ndërpritet mandati i kryetarit, ndërpritet dhe funksionaliteti i tij në parti. Jo vetëm që nuk u pranua ndërprerja e funksionit të kryetarit, por kërkohet të votohet jo vetëm për mandatin e ndërprerë, por për një mandat 4-vjeçar. Kjo nuk shkruhet në asnjë statut partie. Kjo tregon të mos kesh as statut, as fshat, as ligj dhe të sillesh sipas kokës tënde”, u shpreh Hajdaraga. Duke komentuar tërheqjen e Arben Malajt nga gara për kryetar, Hajdaraga tha se pas fjalimit të Ramës do kishte bërë edhe ai vetë të njëjtën gjë. “Edhe unë po të isha në vend të zotit Malaj, pas asaj fjale të zotit Rama do kisha bërë të njëjtën gjë. Fjala e zotit Rama ishte e mbyllur, nuk kishte asnjë moment reflektimi dhe korrigjimi. Sipas tij e tërë partia duhet vënë në funksion të qëllimit të tij. Ai tha se unë e futa në statut nenin, dhe meqë unë gjykoj se nuk është momenti për ta zbatuar sepse na janë vjedhur votat, nuk e zbatoj statutin. Si ka mundësi një kryetar të mendojë dhe veprojë kështu?! Në një parti demokratike, rregullat e lojës janë të barabarta për të gjithë”, u shpreh anëtari i Asamblesë Kombëtare. Në lidhje me kandidimin e Maqo Lakrorit, Hajdaragaj tha se “Maqos do t’i ofrohen petulla me ujë!”