E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po muzeu i krimeve në Demokraci

Nga Flamur BËRDËLLIMA
Pardje, pasi përshëndeta shokun tim pastiçier, Kolin: Mor po sa ftohte bën sot!
Ska shtet Mulo, prandaj bën ftohtë- mu përgjigj ai. Përtej humorit të thekshëm të pastiçierit të mirë mendoj se ka një ironi të hapur për deformimet që sjell në strukturën shpirtërore, (e jo më atë ekonomike), shteti i sotëm ose gjoja shteti.
Le ta shohim qetësisht këtë në idenë për të ngritur institutin e krimeve kundër komunizmit. Duke parë mllefin mediatik, (dhe vetëm mediatik, sepse e dimë sesa i urren në të vërtetë pas kamerave komunistët Saliu), gjykoj sesa shpesh kthehet në origjinë ky njëri. Tjetër gjë është të shpalosësh shkencërisht një ide, dhe tjetër gjë është të mllefosesh përpara kamerave dhe sidomos me Ylli Pangon në krahë. Para se të thellohem me këtë refleksion dëshiroj të sjell në kujtesë të njerëzve që më njohin sesa dhjetëra të përndjekur politik njoh dhe i kam miq për kokë. Kur punoja në minierën Mushqeta, jo vetëm bukën që e hanim bashkë, po i kemi shpëtuar me dhjetëra herë jetën njëri tjetrit, kur shembej katriazhi. Pa folur për miqësinë që kam me Eva Bllacin, Kurt Kolën, Shane Mudën e dhjetëra të tjerë. Pa folur për poetin brilant Pirro Kuqi që vdiq me këpucë të grisura dhe me minj që i sorollateshin mbi çatinë e kasolles ku jetonte dhe me të vetmit miq macet e lagjes. Po mor po ka bërë ai sistem krime të llahtarshme. Mallkuar qoftë ai që i mohon. Por ndërkohë nuk mund të jetë i uruar ai që kërkon që vuajtjen e të përndjekurve ta kthej hapur në biznes votash. Para se të them se paralel duhet ngritur edhe muzeu i krimeve në demokraci nuk e di pse kam një bindje se drejtues të këtij instituti që do të ngrejë Berisha do të jenë ose ish punonjës të Institutit të Marksizmit ose bashkëpunëtorë të tij. Padyshim edhe ata që kanë mbaruar shkollën e partisë. Ajo që dua të theksoj lidhet me pyetjen: Përse ka ende kaq dritëhije në jetën tonë? Çështë gjithë ky informalitet ose si do të shprehej një gazetare sportive hapa fallco? Absolutisht jam për rishikimin e historisë, por jo si një event ideologjik, ca më keq të pushtetit të kësaj apo asaj partie. Sistemi demokratik që po ndërtojmë, kam përshtypjen se sa herë që vijnë zgjedhjet, përcjell antivlerat  dhe në vend që të hapet drejt ndryshimit progresiv, veshët e shqiptarëve sindromizohen me lloj lloj paçavuresh politike. Po mor po, duhet instituti, ashtu siç duhet theksuar se Enverizmi nuk ishte një fenomen i izoluar, por vuajti gjithë lindja nga këto. Nuk e di çvend do të zërë në këtë institut vendi i Stalinit dhe i Stanilizmit, i Gulakëve. Më duket se momenti i zgjedhur dhe qëllimi i zgjedhur është diabolik. Tani nuk jemi më në 90 apo 91 që me bilbilin e parë të dalim nëpër mitingje koti. Tani nuk jemi më si një grup njerëzish që nisen pa hartë dhe pa busull, për të mbërritur edhe ata vetë nuk e dinë se ku. Formimi intelektual i shqiptarit, jo vetëm i atij elitar por edhe mesatar, me të drejtë shtron pyetjet: Kush do ti studiojë krimet e 2 prillit? Pra jo dënojë, studiojë. A do të bëhet pjesë e vetëdijes civile, madje në themelin e saj, se cilët mekanizma psikologji, cila atmosferë politike dhe ekonomike çoi në vrasjen e gardistëve në Cërrik, në vrasjen e policëve në Qafë Gjashtë të Sarandës? Në atë të punonjësve të SHIK-ut të Vlorës të 97-ës? Cilat qenë motivet e vërteta për vrasjen e Azem Hajdarit? Pse u kthye vdekja e tij në tentativë për grusht shteti? Si do të veprohet me evidentimin historik dhe jo vetëm emocional të dhjetëra policëve të vrarë në detyrë, të mijëra vajzave që u bënë prostituta, të minatorëve që ikin në atë botë si të qenë kokrra ulliri të fishkura? Çvend do të zënë në këtë institut të krimeve ne demokraci me dhjetëra në mos me qindra të vetëvrarë nga humbja e shpresës për jetën? Dhe këtu sinqerisht nuk kam parasysh vetëm partinë demokratike apo vetëm Saliun, por për të gjithë spektrin politik. Pyes: Ky institut që do tu ngrika do të na shërbejë për një njohje të fragmentizuar apo të plotë të zhvillimeve historike? Druaj se është e para, dhe po qe kështu ai do të na përafrojë një figurë që është si në një pasqyrë, xhami reflektues i secilës është krisur në shumë drejtime këto 18 vjet, dhe rrjedhimisht do të na krijojë një shëmbëlltyrë të përçudnuar, jo uniforme, tek e fundit jo reale dhe iluzive. Gjithsesi si qytetar, e përshëndes nismën, nëse me të merren shkencëtarët e vërtetë, të cilët, jam i sigurt se do të ngrenë edhe nevojën e një instituti për krimet në demokraci. Por gjithsesi, vazhdon të bëjë ftohtë, dhe Koli, me humorin e tij fin, duke na ofruar një pastë, më thotë:
Ska shtet Mulo, prandaj bën ftohtë.         

Last Updated on Monday, 23 February 2009 11:05

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›