E Diel, 1 Nëntor 2026

Sondazhi i Zogby dhe 6% i Ambasadës Amerikane në Tiranë

Nga Kastriot MYFTARAJ
Imagjinoni se ç rezultate do të jepte një sondazh para zgjedhjeve të fundit presidenciale në SHBA, sikur në atë kohë në këtë vend të kishin zbritur jashtëtokësorët dhe i dërguari i tyre në SHBA të shprehej publikisht, në mënyrë sistematike kundër qëndrimit të Obamës për një çështje të rëndësishme politike, duke u bashkuar praktikisht i dërguari i jashtëtokësorëve me qëndrimin e Mcain për këtë çështje. Sigurisht që të gjithë specialistët dhe analistët seriozë dhe do të llogarisnin influencën e jashtëtokësorëve në shifrat e sondazhit, duke e llogaritur në përqindje influencën aliene, në dëm të Obamës dhe në favor të Mcain. Ekspertët dhe analistët seriozë do të debatonin për atë se sa për qind duhej llogaritur influenca aliene, por asnjë nuk mund të thoshte se nuk ekzistonte një e tillë në shifrat e sondazhit.
Rezultatet e sondazhit të parë të Zogbyt në Shqipëri, në radhën e sondazheve të pritshme të Zogbyt në vendin tonë deri në zgjedhjet e qershorit, dolën mbi bazën e të dhënave të mbledhura në muajin janar të këtij viti. Pra, opinionet e të sonduarve janë mbledhur në kulmin e një fushate prononcimesh të ambasadorit amerikan kundër ligjit të lustracionit, pra kundër mazhorancës, për më tepër kur ambasadori amerikan ishte rreshtuar qartësisht në një linjë me qëndrimin e PS të Edi Ramës. Është e qartë se ambasadori i superfuqisë së vetme të botës ka influencë në mendimin e qytetarëve të një vendi si Shqipëria, edhe sa i përket një sondazhi të tillë. Influenca e ambasadorit amerikan në Shqipëri është afërsisht e barabartë me atë të një të dërguari të jashtëtokësorëve në SHBA. Të gjithë ekspertët e sondazheve dhe analistët seriozë të medias nuk mund ta mohojnë këtë influencë, edhe pse mund të diskutojnë për masën e saj në përqindje.
Nëse e marrim të mirëqenë sondazhin, atëherë duhet bërë pyetja: Në shifrën prej 37% të mbështetjes  për PS që jep sondazhi, sa për qind është influenca e ambasadës amerikane në këtë shifër? Për të pasur një ide mbi influencën amerikane në zgjedhjet shqiptare, mjafton të themi se në zgjedhjet parlamentare të marsit 1992, kur PD kishte mbështetjen e ambasadorit amerikan, mori 62% të votave. Katër muaj më pas, në zgjedhjet vendore të korrikut 1992, kur PD nuk e kishte mbështetjen e ambasadorit amerikan në zgjedhje, mori 43% të votave. Në diferencën prej 19% duhet llogaritur efekti i reformave të dhimbshme ekonomike që bëri PD fill pas ardhjes në pushtet, por duhet llogaritur dhe një 6-7% njerëzish që influencohen drejtpërdrejt nga preferenca e shprehur në një mënyrë ose në një tjetër e ambasadorit amerikan. Kur i pari zyrtar amerikan që vizitoi Shqipërinë në qershor 1991, sekretari i Departamentit të Shtetit, Baker, deklaroi se SHBA do t i jepnin Shqipërisë një ndihmë prej 6 milion dollarësh, kjo u prit me zhgënjim. Në fakt, kjo shifër shprehte në mënyrë simbolike 6 përqindshin e ndihmës amerikane në zgjedhje, për njërën apo tjetrën palë.   
Në vitin 1997, kur PS kishte qartësisht mbështetjen e ambasadores amerikane Lino, megjithatë si total votash nuk mori më tepër se 56%, ku duhet llogaritur dhe 6% amerikan. Para zgjedhjeve parlamentare të qershorit të vitit 2001, kryeministri i atëhershëm Ilir Meta vizitoi Washington-in në maj, pra pak kohë para zgjedhjesh, dhe u takua në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Bush dhe zëvendëspresidentin Cheney. Sigurisht që kryeministri shqiptar u prit për shkak të luftës në Maqedoni, por impakti i takimit në zgjedhjet shqiptare ishte i pamohueshëm, dhe duhet llogaritur në fitoren e vështirë të PS, që u prodhua duke kaluar kjo parti në kalvarin e Dushkut dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, me të cilat u përfituan disa mandate deputetësh.
Edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, 6% amerikan duhet llogaritur në favor të PS, për shkak të një vizite të drejtorit të CIA në Tiranë që u bë publike, gjatë së cilës ai u takua me kryeministrin Nano. Sigurisht që një numër zgjedhësish, jo më i vogël se 6% kanë menduar se SHBA mbështesin Nanon, kundër Berishës dhe Metës, dhe kanë votuar për PS, në vend që të votonin për PD dhe LSI. Por megjithatë kjo ishte përcaktuese për PS të Nanos që të merrte qartësisht më shumë vota se ç pritej të merrte, duke u përkthyer në një numër të papërcaktuar, por gjithsesi të madh, mandatesh për deputetë, të ndarë me pak vota.
Në sondazhin e Zogbyt, në rast se e marrim të mirëqenë atëherë, 6% amerikan, i duhet zbritur PS për t iu shtuar PD dhe LSI. Kështu, PS del me 30-31% të votave. Po të llogarisim se marzhi i gabimit të Zogbyt, që në këtë rast pretendohet se është 3.2%, shkon zakonisht në dëm të porositësit që indirekt është Edi Rama, atëherë shifra e PS zbret në 27-28%. Meqenëse e majta si total, në Shqipëri ka shumë më tepër vota, atëherë del se LSI është disa herë më tepër se shifra që i jep Zogby.     
Problemi kryesor në këto zgjedhje është nëse ambasadori amerikan do të përbëjë peshën që përmbys balancën. Ndërsa në zgjedhjet e vitit 1992 kjo gjë ishte e justifikuar se bëhej fjalë për një rotacion politik që shprehte ndryshimin e sistemit, pasi për herë të parë po largohej nga pushteti një parti që e kishte mbajtur pushtetin për 48 vjet, që nga viti 1944, dhe që nuk e kishte të vështirë që t i manipulonte zgjedhjet nëse donte, sot pesha e ambasadorit amerikan në balancën elektorale në zgjedhjet shqiptare është bërë një gjë që minon demokracinë, duke e shndërruar në diplomatokraci, madje edhe më keq. Në rast se lobi çifut në SHBA, siguron një vizitë të Edi Ramës në Washington para zgjedhjeve, ku Rama do të takohet me Obamën, atëherë zgjedhjet në Shqipëri janë hedhur në erë, dhe mbetet që Rama të pritet në Tiranë si ata gjeneralët e Amerikës Latine që ktheheshin nga Washingtoni me licencën për grusht shteti.
Nëse SHBA vazhdojnë të luajnë në zgjedhjet shqiptare me rezervën e tyre elektorale, që minimalisht del se është 6-7%, atëherë mbetet që 6-7% e shqiptarëve aktivë, që nuk pajtohen me këtë qëndrim të fillojnë një guerilje antiamerikane në Shqipëri.
\n This e-mail address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it

Last Updated on Monday, 23 February 2009 11:06

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›