Po ndërmarrim një hap koherent në përputhje me angazhimin ndaj atdheut, integrimin euroatlantik dhe bashkëveprimin me koalicionet që godasin të kaluarën dhe rrezikun që kërcënon rajonin d
Po ndërmarrim një hap koherent në përputhje me angazhimin ndaj
atdheut, integrimin euroatlantik dhe bashkëveprimin me koalicionet që
godasin të kaluarën dhe rrezikun që kërcënon rajonin dhe paqen në tërësi.
Ky akt është në koherencë me rreshtimin e Republikës së Shqipërisë në
koalicionin ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit, ku dhe Kuvendi i
Shqipërisë ka shprehur vullnetin e tij përmes akteve të rëndësishme në
drejtime të rëndësishme me iniciativa ligjore me të cilat ne së bashku e
kemi miratuar pjesëmarrjen e Shqipërisë në konventat ndrëkombëtare që na
kanë angazhuar në bllokimin dhe ndërprerjen e të gjithë elementëve që mund
të kërcenonin paqen sigurinë, jetën normale, sipërmarrjen dhe procesin e
përafrimit dhe integrimit rajonal dhe global për shkak të terrorizimit,
grupeve të terroristëve, krimit të organizuar, si dhe të spekullimit me
rajet të tjera siç ka qenë deri dje.
Ky akt është koherent gjithashtu edhe me Rezolutat e para pak ditëve të Kuvendit të Shqipërisë. Ato do të kontribuojnë në stabilitetin, zgjidhjen e krizave, sigurinë rajonale. Mazhoranca që unë drejtoj vjen këtu për të bashkëvepruar me Kuvendin me këtë koherencë, me këtë angazhim konvergjent dhe me këtë rezultat që na përfaqëson të gjithëve.
Akti normativ është vazhdimi logjik i aktivitetit të vendit në 12
vitet e fundit, por veçanërisht është vazhdim logjik dhe fryt i
transformimeve të jashtëzakonshme që janë bërë në Shqipëri në 6 vitet e
fundit, sidomos në strukturat e mbrojtjes, ushtrinë kombëtare, përafrimit
dhe krijimit të paramentrave dhe të elementëve të bashkëveprimit të saj me
aleatët e mëdhenj perëndimor, me SHBA dhe strukturat e NATO-s në mënyrë të veçantë.
Kjo tregon se ne përfundimisht jemi shndërruar nga një vend që pak
vite më parë i drejtoheshim për të mbrojtur me trupa të huaj, sigurinë dhe
stabilitetin, në një vend të cilit i kërkojnë të kontribuojë në
stabilitetin, zgjidhjen e krizave, sigurinë rajonale dhe globale. Ne e
kryejmë këtë detyrë së bashku me përgjegjësi dhe modesti. Pjesëmarrja jonë
në koalicionin global të luftës kundër terrorizimit është kontribut në
goditjen e një prej regjimeve më të implikuara me terrorizimin shtetëror
dhe shkeljen e të drejtave të njeriut më antidemokratik të historisë së
njerëzimit dhe më dëmprurës në vazhdimin për dekada me radhë të konfliktit
dhe krizës në rajonin e Lindjes së Mesme në regjimin e Sadam Hyseinit.
Pra kjo pjesëmarrje është vërtetë e denjë dhe ne jemi të gatshëm të
bashkëveprojmë me strukturat e sigurisë euroatlantike që prodhojnë më shumëstabilitet e garanci për paqen dhe sigurinë e vendit.
Falënderoj në mënyrë të veçantë opozitën shqiptare që mbështeti pa
mëdyshje këtë proçes dhe e konsideroj këtë shprehje të vullnetit politik
prej saj, si shprehje bashkëpunimi që mund dhe duhet të vazhdojë për
interesa prioritare të zhvillimit dhe integrimit të atdheut.
Ky vullnet që na bashkon në përfaqësimin e vendit në marrëdhënie me
partnerët tanë strategjik, është shumë i vlerësuar. Mbrëmë numri dy i
Departamentit amerikan të shtetit, në takim me Ambasadorin e Shqipërisë në
Uashinton është shprehur se Shqipëria ka dalë tani në krye të radhës. Ne ua
themi këtë me fjalë dhe do ta provojmë me vepra. Për ne angazhimi i
përbashkët në goditje ndaj Irakut do të ketë shumë efekte pozitive në
marrëdhëniet tona dypalëshe dhe jo thjeshtë në fushën ushtarake, do të
bashkëpunojmë në Irak dhe kjo do të influencojë në marrëdhënie tona në
drejtime që as mund të imagjinohen tani. E them këtë sepse kjo është e mira
jonë e përbashkët dhe ne duhet të vazhdojmë ta strukturojmë këtë
bashkëveprim për përshpejtimin e ritmeve të zhvillimit të atdheut dhe
sigurisë kombëtare.
Falënderoj dhe ju përshëndes për këtë vullnet të përbashkët.
Veç kësaj më lejoni që me rastin e një ngjarjeje të rëndë dhe tragjike që
ndodhi dje në Kryeqytetin e Serbisë së Re, atentati vdekjeprurës ndaj
njërit prej drejtuesve të rinj të Serbisë e vendeve të Ballkanit,
Kryeministri serb progresiv Zoran Gjingjiç te shpreh dhimbjen dhe
shqetësimin më të madh për këtë akt barbar. Akte të tilla vijnë nga e
kaluara diktatoriale dhe nuk duhet dhe nuk mund të pengojnë proçesin e
demokratizimit të bashkëpunimit rajonal dhe integrimin e Ballkanit në
strukturat perëndimore.
Pa luftuar krimin dhe terrorizmin, pa stabilitet rajonal dhe global pa
fuqizuar institucionet demokratike, proceset demokratike dhe siguria janë
të rrezikuara. Ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje.