"Kadarenjtë" e rinj

Ornela Vorpsi është e njohur për publikun shqiptar kryesisht nga ekspozitat e hapura në Galerinë e Arteve, por publikimi i parë që i siguroi njohje të gjerë ishte monografia me fotografi “Nothing obvious”, e botuar nga Scalo në vitin 2001. Prej disa vjetësh, krijimtaria artistike e Ornelës ka marrë një tjetër drejtim. Ajo është tashmë një nga penat më të reja të suksesshme në letërsinë shqiptare. Romani i saj i parë, “Vendi ku nuk vdes kurrë”, pati shumë sukses në Itali dhe Francë, ku është botuar fillimisht. Ornela ka zgjedhur si gjuhë të krijimtarisë së saj letrare italishten dhe libri i botuar nga “Actes Sud” fitoi në Itali çmimin e veprës më të mirë debutuese në gjuhë të huaj. Por pse pikërisht italishtja, kur atdheu i saj i dytë mund të thuhet se është Franca, në kryeqytetin e të cilit jeton prej më shumë se tetë vjetësh. Ornela e shpjegon kështu këtë zgjedhje: “Ekzistenca ime sot është komplet e ngrënë nga gjuhët e ndryshme në të cilat jetoj dhe flas. Pas më shumë se tetë vjetësh në Francë, ndoshta frëngjishten e zotëroj më mirë se italishten. Unë në të vërtetë nuk kam zgjedhur se në ç’gjuhë do të shkruaja. Italishtja m’u imponua, është si puna e dashurisë, e duam një njeri pa ditur të japim arsyen. Unë nuk kam dashur në asnjë mënyrë të largoja shqipen nga krijimtaria ime. Dera për shqipen dhe gjuhë të tjera është e hapur tek unë”. Shumë kritikë menduan se libri i ri s’ishte gjë tjetër, veçse historia personale e vajzës simpatike, jeta e së cilës shënjohet rëndë prej një tragjedie familjare në vitet e diktaturës komuniste. Por Ornela pa e hedhur poshtë këtë tezë thekson se, “Vendi ku nuk vdes kurrë” është shumë më tepër se kaq: “Historia ime personale zë në një vend, siç mund të zërë historia personale e çdo shkrimtari tjetër. Çdo krijues edhe në romanin me karakter plotësisht fiktiv niset nga vetvetja, pra ka gjëra thellësisht të miat. Por nuk do të thosha që bëhet fjalë për një autobiografi, pasi shumë gjëra janë të manipuluara në formën që letërsia kërkon. Albana Hodo është njëra nga shkrimtaret që ka bërë një rrugëtim të qartë drejt botës së letërsisë. Krijimi tek kjo shkrimtare është i mbarë. Plot 6 libra, ku dominojnë librat poetikë. “Mesazh për jetën” (poezi), “Lotët e pritjes”, “Botë e pabindur” (poezi), “Asgjë e pamundur” (novelë) dhe “Mbi djepe ylberesh kalëroj” (poezi) janë librat që mbajnë firmën e saj si poete. Krijimtaria e saj ka bërë një kapërcim drejt prozës duke i ikur tregimit, për të gjetur novelën si fillesë dhe më tej, për të shkuar tek romani. “Velloja e bardhë”, është një roman që lexohet me një frymë, ndonëse çuditërisht vjen nga një krijuese e provincës. Mirëpo cilat tema preferon më tepër shkrimtarja? Tematika është prekja e jetimit të përditshëm, roli i gruas dhe pjesëmarrja e saj në vendimmarrje, politikat sociale mbi dramën shpirtërore të pensionistëve. Brenda tyre gjendet femra, me finesë dhe zhargonin e saj, me delikatesën, të shëmtuarën, pra një ndërthurje mes të mirës, të keqes, të bukurës, të shëmtuarës etj. Me një mendjemprehtësi të çuditshme, kërkimi i saj zgjoi ëndrrën në shpirtin e thepisur, për të rrugëtuar drejt letrave shqipe. Nuk ka formulë të fshehtë për të gjetur poezinë e shpirtit sipas poetes. Albana Hodo erdhi në këtë botën tonë në ditët e fundit vitit 1972. Është shkrimtare e brezit të ri dhe thotë se ndryshimi midis poezisë dhe prozës që ajo shkruan, është se janë dy gjini të një krijese. Tek flet për veten, shkrimtarja Alban Hodo bënë pikërisht këtë ravijëzim: “Letërsia është pasion. E ndiej që më gurgullon. Kur kam kohë “punoj në arën” e saj dhe kur “ngec parmenda”, ajo më shpupurit, derisa më zgjon. Por e shqetësuar shprehet në njërën nga poezitë e saj: “Iu largova poezisë një ditë/ kur puna telashet filloi./ Oraret, lodhja, shqetësimet/ Të gjitha një ç’mu ngatërruan...”.
Ibrahim Kadriu, një tjetër emër i njohur në Prishtinë, i cili viteve të fundit ka fituar çmime, së fundi ka botuar një përmbledhje poezish: “Frymëmarrje në shtjellë”. Poezia me të cilën nis libri është “Të jesh shkrimtar”. Mjaft bukur që në fillim ka spikatur me dilemën, pastaj hyn tutje. Në këtë tollovi mendimesh, presionesh psikike për kohën, për letrat dhe realitetin shqiptar, kjo poezi të nxjerr nga vetja dhe të vë përballë sikur para pasqyre. “Figura” e shkrimtarit është përshkruar bukur në poezi, duke vënë në spikamë ndikimin dhe botën që krijon shkrimtari me shkrimin dhe letrën. Nëse mund të thuhet se je shkrimtar në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, atëherë je vënë para një sprove mjeshtërie. Ibrahim Kadriu thotë se “nuk del bir nëne të jetë më i pushtetshëm se ai që i mban në rresht ndjesitë e të gjithë rrafsheve”, kështu që ai e konsideron shkrimtarin baras me mjeshtrin, më të fuqishmin dhe më të madhin, duke tërhequr vëmendjen se, s’ka qeveri e s’ka askush që mund të futet aty. Me një fjalë, shkrimtari është super-pushtet mbi rreshtat, fjalët dhe temat që vë në letër. Leora Çika është njëra nga shkrimtaret e reja që preferon të shkruajë për fëmijët. Pakkush kujtohet për fëmijët dhe për më tepër në ditët e sotme, duke qenë se brezi i ri i shkrimtarëve ka marrë një orientim tjetër. Por nuk ka ndodhur kështu me Leorën, e cila ka menduar se fëmijët kanë nevojë për një libër që është shkruar enkas për ta. “Mirupa dhe libri i hijeve” titullohet libri i hedhur në treg kohëve të fundit, e që ka ditur ta pushtojë mirë tregun. Një gjë të tillë e pohon edhe Arlinda Dudaj, drejtuese e shtëpisë botuese “Dudaj”.