Burri i besës

Ishin këto fjalët e presidentit amerikan, Xhorxh Bush, gjatë fjalimit të tij në fillim të samitit të NATO-s në Bukuresht. “Një dhjetëvjeçar më parë, Ballkani ishte një rajon i shkatërruar nga lufta, fanatizmi dhe spastrimi etnik. Sot është një rajon ku rritet liria, toleranca dhe paqja. Këto ndryshime janë rezultat i veprimeve të vendosura të NATO-s dhe zgjedhjeve kurajoze të liderëve të rinj të Ballkanit, të cilët kanë punuar për të kapërcyer dhunën dhe përçarjet e së kaluarës. Si njohje e progresit të tyre, NATO-ja do të ndërmarrë një vendim historik për pranimin e tre vendeve të Ballkanit: Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në Aleancë. SHBA-të mbështesin fort ftesën ndaj këtyre vendeve në NATO, pasi ato kanë ecur në rrugën e vështirë të reformave, duke ndërtuar shoqëri të lira. Ato janë gati të kontribuojnë për NATO-n dhe qytetarët e tyre meritojnë sigurinë që sjell kjo Aleancë”, - tha Bushi.
Po kështu, edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer, konfirmoi dje shanset e Shqipërisë dhe Kroacisë për t’u anëtarësuar, duke thënë se pret që liderët e Aleancës të mirëpresin anëtarët e rinj gjatë këtij samiti. “Samiti ynë do të demonstrojë se konsolidimi i Evropës mbetet një prej detyrave më të mëdha për NATO-n. Pres që ky samit të hapë dyert e NATO-s për disa anëtarë të rinj nga Evropa Juglindore”, - tha ai. Disa analistë kanë paralajmëruar se shanset e Shqipërisë mund të rrezikohen nga ato të Maqedonisë, e cila ka një popullsi të konsiderueshme shqiptare. Por zëdhënësi i NATO-s, Xhejms Apathurai, konfirmoi dje, se meritat e secilit prej tre aplikantëve do të gjykohen në mënyrë individuale. “Ajo që ndodh në kontekstin e një vendi, nuk ndikon në aspiratat e tjetrit”, - tha Apathurai. Më pas, presidenti amerikan foli edhe mbi aspiratat e Gjeorgjisë e Ukrainës për t’u përafruar me Aleancën. “Këtë javë Aleanca jonë duhet të vendosë gjithashtu sesi t’u përgjigjet kërkesave të Gjeorgjisë dhe Ukrainës për të marrë pjesë në Planin e Veprimit për Anëtarësim në NATO”, - vazhdoi presidenti amerikan, duke iu referuar aspiratave të këtyre vendeve për t’u afruar me NATO-n. Sipas tij, pikërisht në Bukuresht liderët e NATO-s duhet të marrin një vendim të qartë për të mirëpritur aspiratat e këtyre vendeve për t’u anëtarësuar në Aleancë. “Qëndrimi i vendit tim është i qartë: NATO-ja duhet të mirëpresë Gjeorgjinë dhe Ukrainën në MAP, dhe anëtarësimi në NATO duhet të mbetet i hapur për të gjitha demokracitë e Evropës që kërkojnë dhe janë gati të ndajnë përgjegjësitë e anëtarësimit në Aleancë”, - tha Bushi. Presidenti amerikan foli gjithashtu edhe për sistemin antiraketë që SHBA-të kërkojnë të ndërtojnë në Evropë, si një masë e rëndësishme e luftës kundër terrorizmit. “Nevoja për një sistem mbrojtës raketash në Evropë është reale dhe urgjente. Zyrtarët iranianë kanë deklaruar se po zhvillojnë raketa me rreze 1200 milje, të cilat janë të afta të arrijnë deri këtu në Rumani, ku ne jemi mbledhur sot”, - tha Bush. Për sa i përket misionit të NATO-s në Afganistan, presidenti amerikan shpalosi arritjet e forcave të Aleancës, megjithëse pranoi se vendi ende përballet me shumë sfida të vështira.