E Diel, 1 Nëntor 2026

Dekorimi i Hajdarit bashkon Topin me Berishën dhe Topallin

 

Presidenti Bamir Topi i akordon Azem Hajdarit, pas vdekjes urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu". Kjo ceremoni, e zhvilluar në Pallatin e Brigadave ka shërbyer për të takuar edhe njëherë tre krerët më të lartë të shtetit, Presidentin, Kryetaren e Kuvendit dhe Kryeministrin Berisha. Një ditë më parë Presidenti Topi ishte së bashku me kreun e Parlamentit gjatë përkujtimit të kryengritjes së Postribës dhe të dy ndanin të njëjtin qëndrim për sa i përket hapjes së dosjeve. Në ceremoninë e djeshme, pas ekzekutimit të himnit sekretari i Përgjithshëm i Presidentit, Aleksandër Flloko, lexoi dekretin për ish-liderin e studentëve. "Për kontribut të shquar në lëvizjen demokratike për rrëzimin e diktaturës komuniste, lindjen e pluralizmit politik në Shqipëri dhe futjen e saj në rrugën e zhvillimit demokratik, si një nga drejtuesit kryesor të Lëvizjes Studentore", shkruhej në dekretimin që Presidenti Topi u dorëzoi familjarëve të Azem Hajdarit. Në emër të familjes Hajdari, bashkëshortja Fatmira vlerësoi dekorimin nga ana e kreut të shtetit, por edhe Kryeministrin Berisha, si dhe bashkëpunëtorët e Azemit. "Dua t'ju falënderoj të gjithëve, Kryeministrin Berisha, bashkëpunëtorët e Azemit, të gjithë ata që bënë këtë propozim për dekorimin e Azemit në 10-vjetorin e vrasjes së tij, pasi ata nuk e kishin për 10 vjet në mesin e tyre. Falënderoj Presidentin e Republikës, që e mirëpriti këtë propozim dhe bëri të mundur dhënien sot në 10- vjetorin e Azemit dekoratën e lartë të Urdhrit të Skënderbeut", tha Fatmira Hajdari. Në ceremoninë e djeshme ishin të pranishëm edhe deputetë, krerë të partive politike, ndërkohë që binte në sy edhe pjesëmarrja e ish-kryeministrit Pandeli Majko.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›