Shërbimi juridik i Kuvendit i konsideron dekretet në përputhje me ligjet
Shërbimi juridik i Kuvendit, pas verifikimeve përkatëse, i ka konsideruar kandidaturat e propozuara nga Presidenti i Republikës për anëtarë të Gjykatës së Lartë në përputhje me ligjet dhe me kriteret kushtetuese. Gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, anëtarëve iu shpërnda një vlerësim i shërbimit juridik të Kuvendit. Në këtë konstatim është vënë në dukje se dekreti për Kristaq Trajën e plotëson kriterin e për 15 vjet vjetërsi pune në profesionin jurist i shquar. Nuk ka qenë i dënuar dhe nuk ka qenë më parë anëtar i Gjykatës së Lartë. Po kështu dekreti për Zamir Podën e plotëson kriterin për 15 vjet vjetërsi në profesionin jurist i shquar, nuk ka qenë i dënuar dhe ka mbajtur postin e anëtarit të Gjykatës së Lartë për 8 vjet, nga viti 1998 deri në vitin 2006. Dekreti për Artan Zenelin konstatohet se e plotëson kriterin për 15 vjet si jurist, ndërkohë që vlerësimi “i shquar” shpjegohet në kllapa se duhet ta vlerësojë komisioni. Sipas vlerësimit të shërbimit juridik të Kuvendit, Zeneli nuk ka qenë i dënuar dhe se nuk ka qenë më parë anëtar i Gjykatës së Lartë. Dekreti për Medi Bicin e plotëson kriterin për 15 vjet vjetërsi pune si gjyqtar, nuk ka qenë i dënuar dhe nuk ka qenë më parë anëtar i Gjykatës së Lartë. Po kështu dhe dekretimi i Altina Xhoxhajt e plotëson kriterin për 10 vjet vjetërsi pune, nuk ka qenë e dënuar dhe nuk ka qenë më parë anëtare e Gjykatës së Lartë. Të gjitha dekretet vlerësohen se janë në përputhje me kriteret kushtetuese për të mbajtur postin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.
11 Qershor 2008