E Shtunë, 31 Tetor 2026

Podolski është rehatuar

Përforcimi i ri i Arsenalit, Lukas Podolski ka theksuar se ndihet shumë mirë në skuadrën e tij të re dhe është krenar që është anëtar i gjigantit londinez.

Reprezentuesi gjerman shënoi dy herë kundër ish skuadrës së tij Koln, të dielën derisa Arsenali përfundoi ndeshjet përgatitore me fitore 4-0. Podolski iu bashkua ekipit vetëm para disa javësh meqë ishte i angazhuar për Gjermaninë në Euro 2012.

Por, ai insiston se është shumë mirë nga dita e parë që erdhi në klub. 27 vjeçari u shpreh i lumtur që luajti kundër Kolnit edhe pse pranoi se shënimi kundër ish skuadrës së tij i la një shije të hidhur. “Nga dita e parë jam ndjerë pjesë e Arsenalit dhe jam krenar që luaj këtu dhe veshi këtë fanellë”, tha Podolski për uebfaqen zyrtare të Arsenalit.

“Jam kënaqur shumë. Ishte një ndeshje e mirë, e para për mua dhe shënova dy gola andaj shkoi shumë mirë. Ishte një test i mirë për ne dhe shpresoj në fitore kundër Sunderlandit në fundjavë”, shtoi ai.

“Nuk ishte lehtë të shënoj ndaj Kolnit. Kam luajtur shumë ndeshje për shumë vite në Koln. Ata ishin klubi im i fëmijërisë andaj nuk ishte lehtë të shënoj dy herë kundër tyre. Por, edhe pas ndeshjes e kemi parë se tifozët ende më duan. Në stadium pati edhe shumë tifozë të Arsenalit dhe jam befasuar kur i kam dëgjuar duke kënduar emrin tim”, përfundoi Podolski.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›