E Diel, 1 Nëntor 2026

Manipulimi, Ministria e Turizmit regjistroi motelet për resorte turistike



Ervin Koçi

Mbyllja e sezonit turistik këtë vit i ka nxjerrë edhe “lakrat në shesh” Ministrisë së Turizmit, e cila ishte munduar që të frynte shifrat dhe statistikat si për numrin e turistëve ashtu dhe për kapacitet akomoduese. Shifrat reale dhe konstatimet direkt në teren tregojnë se turizmi shqiptar vuan nga probleme të mëdha, që vetëm nga qeveria nuk pranohen. Një nga skandalet më të mëdha ishte dhe fakti se si hotele me 2 dhe 3 yje ishin regjistruar në vendin tonë edhe motelet buzë rrugëve nacionale, sidomos ato në zonën e bregdetit. Kjo kishte bërë që në sytë e turistëve dhe pushuesve vendi të shfaqej sikur kishte shtuar vërtet kapacitet pritëse për turistët, por në fakt kushtet e industrisë së shërbimeve edhe këtë vit rezultuan vërtet problematike në vend. Qeveria lajmëroi një “bum” turistik, ku sipas shifrave të institucioneve zyrtare bëhej e ditur një shtesë e madhe e hoteleve dhe e kapaciteteve akomoduese turistike në të gjithë vendin. Por realisht jemi përpara një rënieje të numrit të hoteleve dhe turizmi në vend edhe këtë vit u paraqit pa rregulla dhe standarde, ku rezultoi se në tre vjet nuk ishte bërë asgjë për përmirësimin e cilësisë.

Konstatimi

Pas mbylljes së sezonit turistik të këtij viti shifrat tregojnë se turizmi shqiptar vuan nga probleme të mëdha, që vetëm nga qeveria nuk pranohen. Edhe ardhja e një fluksi turistësh nga Maqedonia dhe Kosova nuk e përmirësoi situatën që mbetet sërish e vështirë, duke nxjerrë në pah mungesën e vëmendjes nga strukturat shtetërore. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikës, “numri i hoteleve në vend është më i ulët se ai i vitit 2005”. Kjo të paktën është shifra zyrtare që jepet nga ky institucion, në një kohë që për vitin 2008 bilanci turistik i vendit është me deficit. Pra shqiptarët kanë harxhuar më shumë për turizëm jashtë vendit, sesa ka mundur të fitojë vendi nga turizmi i brendshëm.

Turizëm me 220 hotele

Në vitin 2005 numri i hoteleve të ngritur në vend sipas INSTAT-it ishte 230, ndërsa në fund të vitit 2007 regjistrohen vetëm 220 të tillë. Por Ministria e turizmit në shifrat e saj ka nxituar ta fryjë këtë shifër duke e paraqitur në dyfishin e reales. Por numri i hoteleve, sipas “INSTAT”-it ka rënë me 32, në harkun kohor të një viti. Hotelet janë mbyllur për shkaqe të ndryshme, por një pjesë e madhe e tyre funksionojnë pa asnjë lloj standardi. Mungesat vijnë për shkak të infrastrukturës së dobët që është ngritur në këto vite. Por ky nuk është i vetmi problem që shoqëron industrinë e turizmit. Të gjithë ata që kanë udhëtuar jashtë kufijve për pushime, momenti i parë me njohjen e ofertës bën edhe një prezantim të kushteve dhe çmimeve të hoteleve dhe shërbimeve ekstra në to. Kjo bëhet për arsye që në ofertën turistike të përcaktohen qartazi kushtet e hotelit sipas një sistemi yjesh, ku sa më lart të ngjitesh, aq më shumë duhet të paguash dhe njëkohësisht të përfitosh. Por çfarë mund t’i ofrohet një turisti të huaj, apo vendës, në këtë drejtim. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Turizmit, kemi gjithsej 28 hotele të klasifikuara, në të gjithë vendin, të cilët kryesisht janë në Tiranë, që përmbushin standardet e hoteleve të vërtetë. Një situatë e tillë mbetet e pandryshuar në vite dhe topi hidhet nga një dikaster tek tjetri, pa i dhënë asnjë zgjidhje situatës. Numri i shtretërve që ofrojnë 627 hotelet dhe motelet në të gjithë vendin, është 22 743.

Dhomat e plazhit

Sipas të dhënave nga Agjencia e Turizmit, dhomat që ofrohen nga njësitë e tjera akomoduese (përjashto hotelet), janë më të shumta në numër. Kështu, në gjithë vendin llogariten 908 njësi të tjera akomoduese, me një numër shtretërish që në total shkon 33 943. Nga të dhënat zyrtare, por edhe nga një vëzhgim i realizuar në këtë fushë, del se pjesa më e madhe e pushuesve akomodohen në njësi johoteliere. Industria turistike mbetet nga më të rëndësishmet në vend përsa i përket numrit të të punësuarve. Në vend operojnë rreth 116 agjenci turistike, por që kanë aktivitet kryesor të tyrin, turizmin e shqiptarëve jashtë atdheut. Ndërsa turizmi në vend, realizohet përgjithësisht me prenotime të drejtpërdrejta midis pushuesve dhe njësive akomoduese.

Emigrantët, Ministria i cilëson të gjithë si turistë

Ministria e Turizmit i ka konsideruar të gjithë shtetasit shqiptarë me rezidencë jashtë vendit, si turistë. Gjatë kësaj periudhe, sipas kësaj ministrie, kanë qenë 1 milion e 115 mijë e 487 persona të tillë, ata, që kanë vizituar vendin e lindjes. Shifra është e huazuar, ndoshta, nga burime të Ministrisë së Brendshme dhe ky kontingjent njerëzor nuk është e thënë të klasifikohet, detyrimisht, tek kategoria e turistëve. Duke qenë se shumica e tyre nuk shfrytëzojnë objektet turistike apo restorantet, por qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
Megjithatë, edhe kjo shifër duket se është tepër e ekzagjeruar. Në njoftimin zyrtar të kësaj ministrie theksohet se në këtë numër përfshihen të gjithë ata që janë me nënshtetësi shqiptare. Në statistikat e INSTAT-it, prej kohësh, ka mbetur e mbërthyer shifra e 3 milionë e 125 mijë qytetarëve shqiptarë. A mund të mendohet që më shumë se një e treta e kësaj shifre janë rezidentë jashtë vendit? Sikurse dihet, një pjesë e emigracionit nuk janë të legalizuar me dokumente aty ku qëndrojnë. Së dyti, kjo shifër mund të ishte, ndofta, e barabartë me të gjithë emigracionin, që nuk mund të mendohet se është kthyer i gjithi në atdhe për vizitë brenda kësaj periudhe, për arsye nga më të ndryshmet. Më e besueshme është që Ministria e Turizmit, llogarit si të ndryshëm edhe ata emigrantë, të cilët hyjnë më shumë se një herë në vend për arsye pune. Por, këta vetëm turistë nuk mund t'i cilësosh. Me rrugë tokësore kanë hyrë 73 për qind e vizitorëve, 14 për qind me rrugë ajrore dhe 13 për qind me rrugë detare, theksohet në raportin vjetor të turizmit. Sipas qëllimit të udhëtimit, raporti është 85 për qind për pushime, 6 për qind për biznes, 6 për qind vizitorë ditorë dhe 3 për qind të tjera. Numrin më të madh të vizitorëve të huaj e bëjnë evropianët (92 për qind), më pas amerikanë, aziatikë dhe të tjerë me respektivisht 5 për qind, 2 për qind dhe 1 për qind.

22 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›