Turizmi shqiptar, sfida të thithë 6 milionë turistë në vit
Turizmi shqiptar po bëhet gjithnjë e më i preferuar për të huajt. Viset shqiptare po tërheqin turistët perëndimorë për të bërë turizëm në vendin tonë. Nëse në vitin 2008 Shqipërinë e vizituan me shumë se 2.5 milionë turistë, sfida e së ardhmes së Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe qeverisë është ta çojë këtë numër në 6 milionë turistë në vit. Ky fakt u pranua dje nga kreu i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ardian Turku, gjatë konferencës "Bilanci i turizmit në Shqipëri dhe sfida për vitin 2009". Duke iu referuar njërës prej revistave britanike të specializuara në fushën e turizmit, "Lonely Planet Guide", sipas së cilës rreth 600 milionë turistë nga e gjithë bota vizitojnë gjatë një viti vendet e pellgut mesdhetar, ministri Turku deklaroi se sfida jonë është "të bëjmë të mundur tërheqjen e 1 për qind të këtyre vizitorëve në vendin tonë". Ministri Turku bëri me dije se numri i turistëve në 2009 ka shënuar rritje, çka do të thotë se kriza globale nuk ka ndikuar në këtë sektor. "Megjithëse rajoni dhe bota po kalojnë një periudhë krize financiare e ekonomike, 3-mujori i parë i vitit 2009 ka një rritje prej 7 për qind të numrit të turistëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Kjo do të thotë që Shqipëria mbetet një destinacion atraktiv turistik në këtë krizë ekonomike botërore", - tha Turku. Ai tha se kontributi i turizmit në ekonomi është 11 për qind e PPB-së, ndërsa numri i të punësuarve në këtë sektor arrin në 138 mijë persona. Nga ana tjetër, ai theksoi se të ardhurat nga turizmi arritën në 1.4 milion euro që në 9-mujorin e vitit 2008, nga rreth 800 mijë euro që ishte parashikimi për gjithë vitin. Nga ana tjetër zëvendësministrja e TKRS, Suzana Turku, vlerësoi në fjalën e saj se "me një bashkëpunim më të mirë se kurrë midis pushtetit qendror, pushtetit vendor dhe sektorit privat të turizmit, do ta bëjmë turizmin një veprimtari ekonomike të suksesshme". Ajo theksoi se turizmi është eksporti më i madh për ekonominë e vendit, duke siguruar gjatë vitit 2008 më shumë valutë sesa eksportet e mallrave për të njëjtën periudhë.
Nga ana e saj, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, vuri në dukje në konferencë se "bregdeti ynë është brenda normave të lejuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë", duke shtuar se analizat e ujit të detit dhe të rërës tregojnë se nga 72 stacione pushimi nga Velipoja deri në Sarandë, vetëm 11 prej tyre nuk plotësojnë kriteret e OBSH-së, një situatë kjo, sipas saj, shumë më e mirë se sa e vendeve të Evropës Lindore të pranuara anëtare të Bashkimit Evropian. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, përgjegjës për çështjet e pushtetit lokal, u shpreh në fjalën e tij në konferencën mbi turizmin se Shqipëria turistike, që mund të presë disa milionë turistë në vit, është e gatshme nga Saranda deri në luginat e Vermoshit e të Valbonës. “Sfidë është shndërrimi i Shqipërisë në tregun turistik të shqiptarëve në rajon. Sot ne e guxojmë këtë, sepse falë një vizioni afatgjatë të Kryeministrit Berisha, ne kemi korridorin që na siguron që të jemi tregu dominant i turizmit rajonal”, - tha ai, duke iu referuar rrugës Durrës-Morinë.
Ndërsa kryetari i Shoqatës Shqiptare të Turizmit, Kliton Gërxhali, kërkoi stimulimin e bizneseve që operojnë në këtë sektor nëpërmjet heqjes apo reduktimit të taksave për një kohë të kufizuar, si dhe uljen e TVSH-së në masën 8 për qind. Ndër të tjera, ai theksoi se pushteti lokal duhet të shqyrtojë seriozisht masat për heqjen e mbeturinave urbane nga ambientet publike dhe për sigurimin e një mjedisi të pastër. Përfaqësuesi i kompanisë "GC Albania", Edmond Leka, paraqiti një projekt interesant të ndërmarrë nga ana e kompanisë së tij për krijimin e hartave dixhitale 3-dimensionale, të cilat mund të përdoren falas "online" nëpërmjet internetit, harta shumë të detajuara të cilat do t'u vijnë jashtëzakonisht në ndihmë turistëve të huaj që duan të eksplorojnë deri edhe qoshet më të largëta turistike të Shqipërisë.