E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati Nikaj: Gjykata e Lartë vendosi për akuzat ndaj Bashës



Gjykata e Lartë shtyn për mesditën e sotme vendimin për rekursin e Prokurorisë së Përgjithshme, lidhur me vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit që shpallte të pavlefshme aktet e njoftimit të akuzës dhe fletë-thirrjes për ministrin Lulzim Basha. Avokati Zef Nikaj deklaroi se organi i akuzës duhej të tërhiqej nga ky rekurs, pasi Gjykata e Lartë është shprehur dy herë për këtë fakt, njëherë për kërkesën e Andi Tomës dhe herën e dytë për vendimin e formës së prerë të Kolegjit Penal që shqyrtoi çështjen e themelit për çështjen “Durrës-Kukës”. Këto dy vendime, sipas avokatit, tregojnë se kjo seancë nuk duhej të zhvillohej fare dhe se prokurorët duhej të tërhiqeshin, pasi dy vendime të së njëjtës gjykate i kanë dhënë fund kësaj çështjeje. “Argumentet tona janë shtuar tashmë, pasi përveç fakteve të paraqitura në dy gjykatat e shkallëve të tjera që vendosën t’i shpallin aktet e pavlefshme, kemi edhe dy vendime të Kolegjeve të Bashkuara në Gjykatën e Lartë, të cilat i kanë shpallur të pavlefshme këto akte, shtyrjen e hetimeve dhe dërgimin e dosjes për gjykim”, - u shpreh avokati i deputetit Basha, i cili shtoi se “sot prisnim që prokurorët të tërhiqeshin përballë këtyre dy vendimeve, por meqenëse nuk e bënë, kërkojmë nga gjykata të lihen në fuqi vendimet e dhëna nga dy gjykatat, që i shpallin aktet të pavlefshme”. Avokati vijoi parashtrimet e tij para Kolegjit Penal, duke argumentuar se “prokurorët patën mundësi që këto fakte që parashtruan sot para jush t’i shtrojnë edhe para dy Kolegjeve Penale të mëparshme. Nuk u morën parasysh dhe u argumentuan nga gjykata se janë kryer si veprime jashtë afatit dhe si të tilla janë nul”. Gjatë parashtrimit të pretendimeve, prokurori Artur Selmani ka pasur debate juridike për gati një orë me gjyqtarët e Kolegjit Penal, të cilët bënë pyetje të ndryshme rreth faktit të veprimeve hetimore pas vendimeve të dy gjykatave, të cilët kishin urdhëruar ndërprerjen e tyre. Pasi kanë dëgjuar për 3 orë pretendimet e dy palëve, gjyqtarët e Kolegjit Penal u tërhoqën për vendim dhe deklaruan se shpallja e tij do të bëhet sot, pasi duhet vendim i arsyetuar. Brenda 1 muaji në Gjykatën e Lartë janë zhvilluar tre procese për çështjen “Durrës-Kukës”, dy prej të cilave kanë treguar dështimet e radhës së Prokurorisë së Përgjithshme në hetimet e saj. Aktet e fletëthirrjes dhe komunikimit të akuzës, si dhe dërgimi i dosjes për gjykim nga organi qendror i akuzës është konsideruar i pavlefshëm nga Gjykata e Lartë 20 ditë më parë, duke e konsideruar vënien në lëvizje nga Prokuroria e Përgjithshme si formale për këtë çështje. Lidhur me këtë çështje, një javë më parë, vetë Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, e konsideroi një etapë të mbyllur përfundimisht, për sa kohë ekziston një vendim gjykate i formës së prerë.

Somario

“Sot prisnim që prokurorët të tërhiqeshin përballë këtyre dy vendimeve, por meqenëse nuk e bënë, kërkojmë nga gjykata të lihen në fuqi vendimet e dhëna nga dy gjykatat që i shpallin aktet të pavlefshme”, - deklaroi avokati Nikaj

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›