E Shtunë, 31 Tetor 2026

Justin Lin kthen shpejtësinë e skajshme të makinave

"Fast and Furios 4" është filmi më i ri, i cili sot nis të shfaqet në kinema "Millenium" në Tiranë. Ky prodhim i ri i Hollivudit, ku interpretojnë disa prej aktorëve më të mirë të momentit, si Vin Diesel, Paul Walker, Michelle Rodriguez, John Ortiz dhe Jordana Brewster, do të sjellin edhe një herë garat me shpejtësi të skajshme me makina. Nën regjinë e Justin Lin dhe skenar të Chris Morgan dhe Gary Scott Thompson, në ekranin e "Millenium 2" ngjarjet do të nisin aty ku kanë përfunduar në filmin e parë "Fast and Furious", duke u fokusuar në dy personazhet Dom dhe Letty. Në fund të filmit të parë, Dominique Toretto (interpretuar nga Vin Diesel) kishte zgjedhur të kalonte kufirin e të vazhdonte jetën në arrati si një i jashtëligjshëm. Bashkë me mikeshën e tij, Letty (interpretuar nga Michelle Rodriguez) dhe motrën e saj Mia (Jordana Brewster) përpiqet të ndërtojë një jetë të re, por në fakt policia i qëndron gjithnjë nga pas dhe ai duhet të gjejë një mënyrë për të shpëtuar. Jo gjithçka shkon siç duhet dhe një lajm i keq e kthen protagonistin në pikën e fillimit, në Los Anxhelos, në botën e garave klandestine, ku do të takojë mikun e tij të vjetër Brian (interpretuar nga Paul Walker). Të dy së bashku do të vihen në ndjekje të njërit prej shpërndarësve më të rrezikshëm të drogës të Amerikës. Filmi i parë i "The Fast and The Furious" kishte në qendër dy burra në një çështje nderi, pasionin e tyre për makinat dhe një femër që ishte motra e njërit dhe e dashura e tjetrit. Më pas, në vitin 2003 u xhirua filmi i dytë "2 Fast 2 Furious", i cili ishte një variacion i pastër i filmit të parë. Protagonist ishte Paul Walker, i cili nuk ia del dot që të zëvendësojë kolegun e tij, Diesel. Filmi i tretë "Fast and Furious Tokyo drift", realizuar në vitin 2006, përqendrohet tek aksioni dhe garat e shpejtësisë. Filmi i katërt "Fast & Furious 4" i shton aksionit edhe vijimin e historisë së të njëjtit grup që e filloi këtë sagë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›