Poeti sjell "Lutje në ditën e tetë të javës"
Promovohet sot libri i ri me poezi, "Lutje në ditën e tetë të javës", i poetit Gjekë Marinaj. Libri vjen si botim i shtëpisë botuese "Faik Konica", në Prishtinë. Gjatë takimit promovues në ambientet e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, poeti Gjekë Marinaj do të vlerësohet me çmimin "Pjetër Arbnori". Për Ismail Kadarenë, Gjekë Marinaj dallohet ndër poetët më të mirë shqiptarë të kohës. Sipas tij, ai zë vend midis poetëve më të mirë evropianë. "Në universin e tij poetik ka një harmoni të mrekullueshme midis shpirtësisë ballkanase, më e vjetra e kontinentit, dhe asaj planetare. Siç ndodh shpesh me poetët e vërtetë, kjo harmoni kalon nga jeta te vepra poetike dhe anasjelltas", është shprehur Kadare. Ndërsa për Frederik Turner, kandidat për çmimin "Nobel" në letërsi, Marinaj shpërthen në skenë me gjithë shkëlqimin e rinisë, me energjinë erotike dhe maturinë e një poeti të pjekur. "Një botë ku poezia shpesh tingëllon si një mplakje, e rraskapitur dhe si një luftëtare gati e dorëzuar në mbrojtje të pikave të fundit të ndjeshmërisë letrare. Ai na tregon një mënyrë që ta shohim botën, përtej realizmit magjik, përtej mendjemadhësisë metafizike, madje dhe përtej surealizmit ngjyrëplotë të Evropës Lindore, që tregon se akoma jemi në agun shpresëplotë të civilizimit human", shkruan Turner. "Lutje në ditën e tetë të javës" është një dëshmi poetike për njerëzimin, që ka akoma shumë sfida dhe punë për të bërë, duke mbartur ideale të forta të jetës dhe lirisë.