Poezi dhe muzikë rreth buteve të verës
Me poezi dhe verë u festua ardhja e pranverës. Në kuadër të stinës së aktiviteteve “Italia dhe Shqipëria 2010 – dy Popuj, një Det, një Miqësi”, organizuar nga ambasada e Italisë në Tiranë, përgjatë 5 ditëve në Tiranë, Berat, Durrës dhe Shkodër u zhvillua “Poezia e Verës”. Një aktivitet tregtar-promocional, i promovuar nga Shoqata Kulturore “Syri Blu”, “Poeteka” dhe “La casa nel cuore”, me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Në ceremoninë e hapjes merrte pjesë edhe ambasadorit italian në Tiranë S.E Saba D’Elia. Përgjatë këtij aktiviteti, i cili mblodhi rreth “buteve” të verës, poezisë e pikturës me qindra qytetarë të Tiranës, Durrësit, Beratit dhe Shkodrës u arrit fuqizimi i urave të komunikimit mes kulturave italiane e shqiptare, duke u bërë kështu një model i zhvillimeve të mëtejshme në fusha të ngjashme. Gërshetimi i aktivitetit kulturor me atë promovues e bëri më të këndshëm këtë aktivitet. Jo vetëm verë, por edhe poezi e muzikë, duke shtuar edhe numrin e të interesuarve, apo thjesht kureshtarëve. Verërat e Toscanës, të Piemontes, apo ato të Kallmetit, Beratit e Korçës, Poezitë e Pozzanit apo të Spahiut e Lekës, apo muzika italiane si e çelentanos apo e Contes ishin “dekori” i qyteteve shqiptare në këto ditë të Poezisë së Verës. Pjesëmarrja e publikut në këto aktivitete ishte shumë e kënaqshme si dhe ndihmoi në ide të reja për t’u zhvilluar në të ardhmen. Një meritë e veçantë i shkon për organizimin e këtij aktiviteti, kryetarit të Shoqatës “Syri Blu”, Prof.Dr. Besim Petrela. Sipas organizatorëve, mësohet se 10% e shitjeve të realizuara gjatë këtyre ditëve do të jepen në bamirësi për fëmijët e shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli” dhe fëmijëve rom të “Shtëpia e Zemrës”.