E Shtunë, 31 Tetor 2026

TV “Alsat”, pjesë e grupit “Taçi Oil”



Radio televizioni “Alsat” bëhet pjesë e grupit “Taçi Oil”. “Alsat”, i cili nisi aktivitetin e tij në vitin 2003, ka një shtrirje mbarëkombëtare. Tanimë ky televizion kalon nën administrimin e grupit “Taçi Oil”. Drejtori i përgjithshëm i RTV “Alsat”, prezantoi dje në ekranin e këtij televizioni, arsyet e kësaj ndërmarrjeje të re në fushën mediatike. “Grupi ynë ka një strategji zhvillimi jo rastësor, por një politikë të studiuar mirë. Kjo politikë orientohet drejt hapësirave dhe mundësive të reja në të gjitha fushat e biznesit. Këtu përfshihet edhe tregu mediatik. Televizioni “Alsat” ka tërhequr prej disa kohësh vëmendjen e grupit, jo vetëm për shkak të performancës, por edhe për shtrirjen dhe pozicionin strategjik në gjithë hapësirën shqipfolëse. Kjo gjë përputhet plotësisht me interesin dhe strategjinë e zhvillimit të vetë grupit tonë”, është shprehur Taçi. Duke treguar vizionet e tij në lidhje me të ardhmen e këtij televizioni, Taçi tha se qëllimi është që ky televizion të jetë më i orientuar drejt tregut dhe të shkojë më afër shikuesit. “Ne synojmë një program më të larmishëm si dhe një pasurim të zhanreve televizive. Unë kam gjetur tek i gjithë stafi, krijuesit, gazetarët dhe teknikët dhe të gjithë bashkëpunëtorët e “Alsat”, entuziazmin për të vënë në jetë këtë strategji. Ky vizion do të mbështetet edhe në investime serioze, në teknologjinë më bashkëkohore televizive, duke punuar për një televizion të së ardhmes” tha Taçi. Duke qenë në televizion satelitor, me një shtrirje mbarëshqiptare, gjatë viteve të aktivitetit të vet, ka qenë më së shumti i orientuar gjatë një programi me karakter politiko-social. Duket se me ndryshimin e pronarëve të këtij televizioni, do të ndryshojë edhe programacioni, i cili pritet të bëhet më konkurrues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›