Poezia që i jep liri njeriut
Ka një arsye për të mbërritur gjer te mërmërima e fjalës së shkruar. Thonë që poetët janë qenie të ndjeshme, por ndjesia nuk është një privilegj vetëm i poetëve. Diçka tjetër ndodh me ndjesitë e disa individëve të veçantë, të cilët marrin guximin të hedhin mbresat e jetës në letër. Është habia, ka thënë një shkrimtar i njohur, një cilësi fëmije që jeton gjatë vetëm te poetët e vërtetë dhe i bën ndjenjat të murmurijnë, për t’i çuar gjer te fjala.
Kjo gjë ka ndodhur me Arben Shehi, me profesion arkitekt, i cili gjen kënaqësi dhe ngushëllim herë te poezia e herë te piktura. Përse shkruajmë? Përgjigjja më e saktë do të ishte: “Sepse...”. Një fjalë pa kuptim, ose me shumë kuptime. Shehi gjen kohën të merret me dy arte njëherësh, me poezinë dhe pikturën. Një poezi që reflekton plot emocione, vizione jetësore të përshkruara nga një nostalgji humane. “Poezia është rrugëtimi im i vazhdueshëm drejt lirisë”, - thotë autori. “Një ide mjaft interesante, koncepti i poezisë me lirinë ka kuptim të dyfishtë, ajo nuk ka të bëjë vetëm me lirinë e shprehjes, por dhe me lirinë si shkëputje nga e rëndomta, poezia është një univers brenda të cilit jetojnë dhimbja dhe trishtimi, realiteti dhe iluzioni, poezia bën lidhje të fshehta me retë dhe me shirat, me ëndrrën dhe me lirinë që jeton në sferat më të fshehta të ndërgjegjes sonë”. Ky është Olimpi që prek poeti, kur shkruan.
Ajo që të bie menjëherë në sy sapo lexon poezinë e parë të kësaj përmbledhjeje poetike është ndjesia e veçantë që autori ka për vendlindjen, Shkodrën e mbretërve siç shprehet ai, prej të cilës burojnë dhe poezitë më të mira të këtij libri.
Karakteristikë e poezisë së Shehit, sidomos kur përshkruan gjendje, është eliptizmi dhe imazhi si mjet artistik, një kombinim i bukur i ndjenjës dhe imazhit, pa rënë grackën e imazhinizmit. Poezisë së tij duket sikur i mungon diçka. I mungojnë fjalët e zhurmshme. Fjalë e thjeshtë, por e thellë, e ushqyer me dhimbje. Dhimbjet njerëzore Shehi i shndërron në burim të poezive më të mira të këtij libri.
Poezia e Arben Shehit ka diçka përjetësisht të parealizuar në kohë, e cila jeton në kujtime, kjo gjë vërehet te vjershat e dashurisë, ndonëse, në vjershën “E shkruar vetëm për time bijë” ai vetë e pohon, se në jetën e tij ka pasur vetëm tri gra:
“Nëna ime,
vajza e nënës sime,
Nëna jote...”
Shehi lundron me varkën e fëmijërisë në ujërat e së ardhmes. Por kur ai vëzhgon të përditshmen e egër, lënda e përpunuar është ngjethëse. Më shumë se nostalgji për jetën te poezia e tij ndjehet malli, malli për vendlindjen, malli për njerëzit e dashur të familjes, mall për rrugët ku ka shkelur këmbëzbathur dikur, mall për një pritje, pas qelqeve, në avullin e magjishëm të ndarjes, mall për shirat “mbi çatitë flurore të mjegullës”... Mall për gjithçka të bukur që ka kjo jetë. Mall dhe për të papërsëriturën, po që universi poetik i Shehi e bën që të përsëritet mjeshtërisht. Por, ajo që e veçon poezinë e tij është mënyra se si ky autor e përthyen ndjenjën në prizma imazhesh.