Greqi, ekzekutohet me 20 plumba emigranti shqiptar
Enea Kalemi u gjet i vrarë në banesë. Policia greke: Ekzekutuar nga dy persona. Dyshohet, larje hesapesh
Të afërmit: Shteti të gjejë autorët. Enea, ka ikur emigrant që i vogël dhe s'kishte precedentë
Athinë-Një 23-vjeçar shqiptar është gjetur i vrarë në banesën e tij në shtetin fqinj, Greqi. Sipas burimeve të policisë greke, ngjarja ndodhi në Kolono të kryeqytetit grek, Athinës, kurse viktima, Enea Kalemi është ekzekutuar me 20 plumba.
Ngjarja
Të dhënat e para policore bëjnë me dije se shqiptari, emigrant në Greqi është ekzekutuar nga dy armë dhe kjo ka rezultuar pas ekspertizës së bërë mbi kufomën. 'Fakti që viktima është qëlluar nga dy armë, lë vend të hapur të besojmë se kanë qenë dy autorët e krimit të rëndë'- kanë theksuar burimet policore greke, që menjëherë pas ngjarjes nisën hetimet. Sipas saj, një nga pistat e mundshme të vrasjes së 23-vjeçarit sarandiot është ajo e larjes së hesapeve mes grupeve kriminale.
Familja
Të tronditur nga lajmi, familjarët e 23-vjeçarit kundërshtojnë prerë versionin e dhënë nga policia greke për motivet e krimit. Ardian Kasemi, djali i dajës që ka hapur shtëpinë për të pritur ngushëllimet për kushëririn e parë të vrarë në mënyrë barbare. "Lajmin tronditës e morën vesh nga televizioni grek, i cili po transmetonte një kronike të shkurtër për një vrasje. Kur dëgjuan emrin e viktimës u tronditën. Sipas kanaleve greke, emri i tij ishte Enea Kalemi, i vrarë nga dy persona, i gjendur në dhomën e tij nga të afërmit në mëngjesin e ditës së sotme"- tregon ai, ndërsa shton se pas interesimit mësohet se përgjegjësit ende nuk janë gjetur. Madje nuk ka asnjë gjurmë të tyre. "Në gjuhën e policisë, të cilën unë e njohë fare mirë, pasi kam punuar dhe punoj, do të thotë që kjo dosje do të mbyllet pa autor, gjë që do të vështirësojë edhe gjetjen e vrasësve"- thotë ai.
"Të gjenden autorët"
Sipas familjes djali nuk ka pasur konflikte me ndonjë e aq më tepër të ketë qenë pjesë e grupeve kriminale. "Në komunikatën e policisë greke vlerësohet se shkaku i vrasjes është "Për larje hesapesh"nga dy shqiptarë, ish-shokë të tij"- thotë ai, duke e kundërshtuar këtë. Madje, ai ngul këmbë se do të kërkojnë nga shteti shqiptar të vazhdojnë procedurat ligjore në bashkëpunim me policinë greke për zbulimin e autorëve. Sipas telefonatave të bëra me prindërit e tij në Athinë, Kasemi sqaron se është vendosur të ceremonia të bëhet në Sarandë dhe pritet mbërritja e trupit, që ndodhet ende në morg. Enea, me bashkëshorten dhe djalin e vogël banonte në Athinë, në Kolona. Sipas Kasemit, aikishte 6 muaj pa punë, ndërsa i ati, Zavalani dhe vëllai tjetër i tij, më i vogël se Enea, punojnë në një kalceto. "Motrën e ka në shtëpinë e vet me të shoqin. Më herët, Enea kishte punuar në ndërtim dhe shofer. Ka ikur nga Saranda që i vogël dhe nuk ka pasur kurrë precedentë penalë"- thotë ai.