Merr peng ish-të fejuarën e shokut, tenton ta përdhunojë
Policia arreston 22-vjeçarin Bledar Zeneli. Denoncimi i vajzës: Më mashtroi duke më thënë se ish-i fejuari ndodhej në spital
TIRANË- Tenton të përdhunojë ish- të fejuarën e shokut, përfundon në qeli 22-vjeçari. Bledar Zeneli, banues në Kamëz, është arrestuar në orët e vona të së dielës, duke u gdhirë dita e djeshme pasi akuzohet se ka mbajtur peng 20-vjeçaren Anduena H. të cilën ka tentuar ta përdhunojë. Ngjarja ndodhi dy netë më parë, kur Zeneli ka mundur të sajojë një mashtrim, për të bindur vajzën të hynte në makinën e tij. Pasi e ka marrë në Kamëz të Tiranës, Zeneli e ka çuar vajzën në Zall-Herr dhe atje e ka mbajtur peng për disa orë dhe duke përdorur dhunë fizike e psikologjike, ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me të. Forca të policisë së komisariatit nr.5, rastësisht kanë dëgjuar thirrjet për ndihmë të vajzës. Eektivat blu ndërhynë menjëherë duke kryer dhe arrestimin e Bledar Zenelit.
Ngjarja
Anduena H. kishte vetëm pak kohë që ishte ndarë nga i fejuari i saj, i cili ishte shok me Bledar Zenelin. Ky i fundit ka shfrytëzuar pikërisht këtë fakt, për t'u afruar me 20-vjeçaren. Mbrëmjen e së dielës 22-vjeçari është takuar me Anduenën në Kamëz dhe i ka thënë se ish- i fejuari i saj ishte plagosur dhe ndodhej në spital. Më pas, Zeneli ka vazhduar me mashtrimin e tij duke i treguar vajzës se duhej të shkonte patjetër ta vizitonte në spital ish- të fejuarin, pasi kjo ishte dhe dëshira e tij e fundit. "Do të çoj unë me makinën time në spital"- mësohet t'i ketë thënë Zeneli 20-vjeçares. Në deklaratën e saj në polici, vajza ka treguar se i kishte ardhur keq për ish- të fejuarin e saj ndaj dhe pranoi të shkonte në spital. Vajza ka hipur në makinë dhe brenda pak minutash ka konstatuar se nuk po udhëtonte drejt spitalit. Menjëherë ka filluar të kërkojë sqarime, por është përballur me agresivitetin e shoqëruesit, i cili nuk ka ngurur të ushtrojë dhunë mbi të. Zeneli ka ndaluar makinën në Zall-Herr dhe e ka mbajtur vajzën për disa orë me radhë, nën kërcënimin e një leve, duke kërkuar me ngulm të kryente marrëdhënie seksuale me të.
Arrestimi
Teksa Anduena mbahej peng në makinë, një patrullë policie ka kaluar fare pranë krejt rastësisht dhe ka vënë re se vajza ndjehej në ankth. Forcat e policisë reguan duke iu afruar makinës ku ndodhej çifti dhe i kanë kërkuar 22-vjeçarit të dilte jashtë. Por Bledar Zeneli ka bërë rezistencë, duke mos pranuar të dorëzohej ndërsa vazhdonte të kërcënonte me levë 20-vjeçaren. Pas negocimeve, policia ka mundur të prangosë të riun dhe të kryejë shoqërimin e tij në polici. 20-vjeçarja denoncoi në polici ngjarjen. Burime nga policia thanë se vajza deklaroi se Zeneli e kishte mashtruar atë se do ta çonte në spital tek ish- i fejuari dhe më pas e kishte dërguar në Zall-Herr, ku tentoi ta përdhunonte. Fill pasi regjistruan kallëzimin e 20-vjeçares, oficerët e policisë kriminale i komunikuan Bledar Zenelit arrestimin dhe akuzat që rëndojnë mbi të. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se i arrestuari ka konsumuar veprat penale të "rrëmbimit dhe mbajtjes peng të personit" dhe "mosbindjes të urdhrit ndaj punonjësit të policisë rendit publik".