E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD 3 mandate në Berat, PS: Të rinumërohen votat e pavlefshme

 

BERAT/ DILAVER XHELILI

Kutia e Uznovës, e cila la pezull rezultatin e mandateve të Beratit, nuk i dha PS-së deputetin e pestë. Duke qenë se Berati gjithnjë ka qenë bastion i së majtës, pritshmëria që kandidati Eduart Bejko të merrte numrin e duhur të votave për t’u rikonfirmuar si deputet ishte tepër e lartë. Por në fund të numërimit të kësaj kutie aq shumë të debatuar, mandatin e fitoi kandidati i të djathtëve, Lefter Maliqi. PS-ja kishte marrë 243 vota, PD 85, LSI 42, PR 16, si dhe një sasi të papërfillshme partitë e tjera. Kjo ka shkaktuar edhe reagim të simpatizantëve të së majtës në këtë qark. Ata e konsideruan një skandal të vërtetë këtë fakt, ku në këtë qark arritën të merrnin vetëm një deputet më shumë se PD-ja. Sipas tyre ky sistem i shkatërroi ata.  Tashmë në parlament, nga 8 mandate të përcaktuara për këtë qark, 4 i fitoi PS-ja, 3 PD-ja dhe 1 LSI-ja. Konkretisht, deputetë fitues janë: për Partinë Socialiste, Erion Braçe, Fidel Ylli, Ermonela Velaj dhe Marko Bello. Për të djathtët siguruan votat për deputetë: Genc Pollo, Mehmet Xheka dhe Lefter Maliqi. Ndërsa mandatin e LSI-së e fitoi Nasip Naço. Tashmë procesi i numërimit ka përfunduar, përveçse një kutie të fshatit Sinjë, e cila ka në brendësi të saj vetëm 130 vota. Por rezultati i kësaj kutie, e cila u konsiderua e parregullt dhe do të hapet në KQZ nuk përmbys asgjë. E vetmja mundësi dhe shpresë të cilën po tentojnë ta shfrytëzojnë socialistët e zhgënjyer të Beratit është një kërkesë që ata do t’i drejtojnë KQZ-së për të quajtur të vlefshme 2670 fletë. Sipas tyre, këto vota, me të padrejtë, janë konsideruar nga ana e komisioneve të pavlefshme. Gjatë gjithë ditës së djeshme kutia me numër 3295 e Uznovës, e cila kishte 500 vota gjithsej ka lënë në ankth të majtët jo vetëm në Berat, por edhe në Tiranë.

Reagimi i socialistëve

“Kjo formulë e pallogaritur mirë e ka shkatërruar shumë PS-në, pasi populli i ka dhënë votën, por sistemi favorizoi të djathtën që të krijojë qeverinë”, u shprehën dje simpatizantët e së majtës. Ndërsa në lidhje me fletët e shpallura të pavlefshme, tek të cilat të majtët kanë edhe shpresën e fundit, kandidati për deputet Eduart Bejko pohoi se gjatë numërimit ka patur tendencë që këto fletë të dalin të tilla. Por socialistët pohuan se kanë shpresa që këto vota të rishikohen nga KQZ-ja dhe në këtë mënyrë ata të mund të përmbysin rezultatin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›