E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bushati s’prodhoi deputet, PD fiton 7, PS merr 4 mandate

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Partia Demokratike fitoi shumicën e mandateve për në parlamentin shqiptar në qarkun e Shkodrës. Edhe me numërimin e votave të Bushatit, të cilat gjer në mesnatë nuk kishin përfunduar, nuk pritej që të ndryshonte shpërndarjen e mandateve ndërmjet PD-së dhe PS-së. Kur kishin mbetur edhe rreth 20 kuti të panumëruara, nga 79 që ishin gjithsej, rezultati final do të mbyllet 7 me 4 në favor të PD-së. Këtë fakt e pohuan dje burime të dy kampeve të PD-së e PS-së pranë kësaj KZAZ-je. Sipas tyre, në KZAZ nr.41, diferenca është se PD-ja ka rreth 2 mijë vota më shumë, ndërsa në total rreth orës 20:00 ishin edhe rreth 7 mijë fletë votimi të panumëruara. Ndërsa dy kuti të tjera nuk do të numërohen, pasi konsiderohen me probleme dhe do të shkojnë në KQZ. Përfaqësues të të dy subjekteve politike bënë të ditur se sido që të jetë rezultati i kësaj KZAZ-je, nuk do të ndikojë në shpërndarjen e mandateve. Pra, edhe sikur të merreshin të gjitha votat 100 për qind nga secili subjekt politik, do të ishte e pamundur që të përmbysej raporti 7 me 4 në favor të demokratëve, pasi sipas formulës së Kodit Zgjedhor, PD-së do t’i duheshim mbi 8500 vota diferencë që të mund të fitonte mandatin e 8-të. Ndërkohë që socialistët e kishin të qartë që në rezultatin e kutive të para se ishte e kotë të shpresonin për një mandat të pestë.
Procesi i numërimit të votave të Bushatit nisi dje rreth orës 12:15, pas rreth 30 orë ndërprerje. Ndërhyrja e KQZ-së si dhe vëzhgimi nga afër nga përfaqësues të OSBE-së dhe ODHIR-it kanë bërë që numërimi i kutive të mbetura të vazhdojë normalisht. Në afërsi të vendnumërimit të votave, që është një magazinë e një ndërmarrjeje të viteve ’80, kishte një numër të madh makinash të parkuara, përkrahës të partive të ndryshme si dhe forca të shumta policie, të cilët ndodheshin në gatishmëri në rast të ndonjë incidenti të mundshëm. Ndërprerja e procesit të numërimit ndodhi të martën, pasi kryetari i KZAZ nr.41 në Bushat, Engjëll Shuku, dha dorëheqjen për arsye të lodhjes fizike dhe psikologjike. Nga ana tjetër PD-ja ndryshoi 3 përfaqësuesit e saj në këtë KZAZ. I gjithë debati bëhej kur kishin mbetur edhe 42 kuti të panumëruara. Mosmarrëveshjet mes anëtarëve të rinj bëri që numërimi i votave të mos fillonte, duke shkaktuar tension e debate të shumta në sallën ku ndodheshin 8 tryezat e numërimit të kësaj zone zgjedhore. Njëri krah i anëtarëve kërkonte që anëtarët e grupeve të numërimit duhet të jenë të autorizuar me shkrim nga subjekti politik që përfaqësojnë dhe dokumenti të jetë i firmosur e vulosur nga kryetari i partisë përkatëse, si dhe të kenë dokument identifikimi të tyre. Situata në mesnatë është acaruar edhe nga akuzat e kundërakuzat të kandidatëve për deputetë të PS e PD, që akuzonin njëri-tjetrin për prishje e sabotim të procesit. Në orën 10:00 të së mërkurës, pas debateve lidhur me numrin e domosdoshëm të anëtarëve të grupit të numërimit të votave në çdo tryezë dhe konsultimeve me përfaqësues e vëzhgues të OSBE–ODHIR që ndiqnin procesin, ka vendosur që numërimi të fillojë dhe me nga tre anëtarë të grupeve të numërimit të pranishëm. Në orën 12:15 minuta ka filluar puna.

Qendra në livadh
Në një qendër votimi, në zonat rurale të Matit qendra e votimit ishte caktuar fillimisht në një objekt shtetëror. Por komisioni ka konstatuar se në atë objekt nuk mund të qëndrohej. Komisionerët kanë gjetur një mënyrë të veçantë për kryerjen e procesit të votimit. Në një livadh kanë ngritur qendrën e votimit, ku votuesit e pakët janë paraqitur dhe kanë votuar qetësisht. Një skemë e tillë ndiqet në të gjitha votimet në një fshat të Ulzës, kur në një dhomë fshati kutia mbahet në mesin se saj dhe votuesit pasi pinë nga një kafe së bashku votojnë.

Burgu
Në qendrën e votimit nr. 038/2 Burgu Burrel LSI priste të siguronte afro 40 vota, pasi sipas eksponentëve të saj njëri nga të dënuarit VIP kishte premtuar se do ta ndihmonte këtë subjekt politik. Por pas numërimit të votave rezultoi se PD fitoi 113 vota, PS 27, PR 6 dhe LSI 9 vota. 10 nga të burgosurit nuk patën mundësi të votojnë, pasi emrat e tyre nuk figuronin në listat e votimit. As ankimimi në gjykatë nuk u mundësoi atyre kryerjen e votimit.

qarku SHKODER

Aleanca e Ndryshimit

PD    53616 vota
PR    2845 vota
PAA    2722 vota    PDI    77 vota   
PAD    362 vota   
BLD    117 vota
PLL    260 vota
AMIE    21 vota   
PADS    318 vota
PBK    644 vota

Bashkimi per Ndryshim

PS    32487 vota
PSD    2078 vota
PDS    2260 vota    PBDNJ     1141 vota    G99    535 vota

Aleanca Soc. për Integrim

LSI 2742 vota
PSV 409 vota

Numri i zgjedhësve që kanë votuar 113104

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›