E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokratët, fushatë me “Korridorin e Matit”

 

BURREL - Fushata e fundit elektorale është shoqëruar me paradokse të shumta në rrethin e Matit. Është shpikur “Korridori i Matit”, 4 pjesëtarë të një familjeje komisionerë në një qendër votimi, votohet në livadhin e një fshati, komisionerët fusin vetë fletë votimi, etj. Më e çuditshmja ka qenë “projekti” i korridorit.
Në javën e fundit të fushatës, pikërisht të mërkurën, kandidatët e djathtë për deputetë shpikën një gjë interesante, madje kush e ka mësuar këtë fakt do të habitet. Për të joshur banorët e Luginës së Matit, madje dhe të komunave në afërsi të saj, u sajua “Korridori i Matit”. Fillimisht u mendua se ishte një poster elektoral i vendosur nga ndonjë subjekt politik, por për disa me ditë me radhë kandidatët e PD-së premtuan publikisht nëpërmjet takimeve politike dhe nëpërmjet medias se do të ndërtojnë gjatë këtij mandati “Korridorin e Matit”, rrugën që lidh Rrugën e Kukësit me Rrugën e Arbrit. Edhe pse në këtë të fundit nuk ka përfunduar asnjë lot i nisur një vit më parë. Një banderolë gjigante ishte vendosur në mes të një rruge të fshatit Zenisht të Matit, madje vazhdonte të qëndronte dhe ditën e djeshme. Duket se kjo gjetje ka rezultuar e suksesshme, pasi demokratët kanë fituar shumicën e votave, ashtu siç ndodhi në fakt në pjesën më të madhe të qarkut të Dibrës.
Teksa mëson xhevahire të tilla kupton sa lehtë mund të mashtrosh zgjedhësit, madje duke shpikur dhe korridore që lidhin rrugë të rëndësishme. Megjithëse kjo ishte një gafë e rëndë elektorale dhe një sajesë që duhej goditur, çuditërisht kandidatët e majtë nuk u ndjenë sa duhet. Tashmë, pasojat pritet të bien mbi hartuesit e këtij projekti për të vënë në zbatim atë, kur dihet se lidhja mes Dibrës dhe Kukësit ka qenë gjithmonë e vështirë. Kjo, për mungesë totale të infrastrukturës mes dy qarqeve të mëdha që lidhin veriun me verilindjen e vendit e më pas me Maqedoninë.                   h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›