Pogradec, sherr mes ish- krushqinjve, rëndë 20 vjeçari
Ish- kunati masakrohet nga ish- bashkëshorti i motrës dhe vëllai i këtij të fundit. Sherri ka degjeneruar, ndërsa i dëmtuari ka përfunduar në Spitalin Ushtarak të Tiranës, në gjendje kome. Divorci i motrës së Edison Rusit, e martuar me Ilir Kllomollarin për më shumë se tre vjet ka shkaktuar dhe një ngjarje të rëndë në qytetin e Pogradecit rreth orës 19:00 të mbrëmjes së martë.
Familjet në fjalë janë futur në konflikt me njëra-tjetrën pas divorcit të çiftit, ndërkohë që ishin duke pritur vendimin e gjykatës për pensionin e fëmijës, për të cilën kujdeset aktualisht nëna e tij. Edison Rusi, 20- vjeçar, banor i qytetit të Pogradecit është konfliktuar me dy vëllezërit duke filluar një valë dhune në drejtim të tyre. Ish- kunati 20- vjeçar i dënuar dhe më parë nga drejtësia ka goditur me grushte ndaj dy vëllezërve Ilir dhe Luan Kllomollari, ku i pari ka qenë burri i motrës së vet. Ai në mënyrë të papritur ka nisur të fyeje dhe godasë porsa është përballur me ta, ndërsa ka kërkuar që të pagunin pensionin për fëmijën, ndonëse gjykata nuk është shprehur ende. Më pas sherri ka degjeneruar, teksa dy vëllezërit banorë të fshatit Vërdovë në Pogradec janë kthyer në vendin e ngjarjes me një sëpatë duke masakruar ish kunatin. Ky i fundit bëjnë të ditura burimet zyrtare të policisë së Pogradecit ka marrë dëmtime të shumta trupore nga goditjet në kokë, ndërsa ka përfunduar në koma. I dëmtuari Rusi është transportuar me urgjencë në drejtim të spitalit Ushtarak të Tiranës në gjendje kritike. Policia e komisariatit të Pogradecit ka bërë të mundur arrestimin në kushtet e flagrancës dy agresorët që janë provokuar fillimisht nga i plagosuri. Ilir Kllomollari, 32 vjeç si dhe Luan Kllomollari 27 vjeçar akuzohen për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje në bashkëpunim.