Pohoi se kishte mbjellë kanabis, arrestohet i riu nga Lekbibaj
Një 24-vjeçar nga Komuna Lekbibaj e Tropojës është arrestuar nga policia, sepse ka pohuar se ka mbjellë bimë narkotike në tokën e tij. Mbrëmjen e së mërkurës, Demir Neçaj, nga fshati Peraj është arrestuar në flagrancë, pasi ka deklaruar se në një parcelë të tijën kishte mbjellë kanabis sativa. Ende nuk bëhet e ditur se në çfarë rrethanash i riu ka deklaruar se është autori i mbjelljes së bimëve, por sapo ka mësuar për faktin, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes ku 24-vjeçari deklaroi se ka mbjellë bimët narkotike dhe ka konstatuar se në parcelë ndodheshin rreth 130 rrënjë kanabis. Burime të policisë tregojnë se disa bimë u morën në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër është asgjësuar me zjarr. Për vitin 2010 ky është rasti i dytë i konstatimit të kultivimit të bimëve narkotike në Tropojë, por ndryshe nga rasti i parë, ku kultivuesi nuk u identifikuan, pasi toka e mbjellë nuk ka pasur pronarë, këtë herë ka qenë autori që është vetëdeklaruar. Një javë më parë, policia zbuloi dhe asgjësoi në bjeshkët e Pacit në Lekbibaj 83 rrënjë të dyshuara si kanabis sativa. Në dy vitet e fundit, Qarku i Kukësit dhe kryesisht Rrethi i Tropojës, ka dalë nga harta e zezë e bimëve narkotike. Më herët, në fshatrat e thellë të zonës së Currajve janë gjetur parcela me mijëra rrënjë kanabis.
#