E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Shqipëria, kundër ndryshimit të kufijve

Intervistë e ministrit të Jashtëm për seksionin shqip të BBC pas vizitës në Maqedoni

Në një intervistë dhënë BBC-së, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, ka informuar rreth marrëdhënieve me Maqedoninë fqinje duke u përqendruar tek ekonomia dhe problemi i kufijve.

Cili është vlerësimi juaj për marrëdhëniet Shqipëri-Maqedoni?

Këto marrëdhënie janë tepër solide, të konsoliduara tashmë prej dy dekadash, janë marrëdhënie të vendeve që ndajnë të njëjtin vizion dhe aspiratë për të qenë me të drejta të plota, pjesë e komunitetit euroatlantik. Në këtë drejtim, marrëdhëniet tona shënojnë progres të vazhdueshëm...

Kur është fjala për infrastrukturën, zoti Meta, ka vite që po flitet për Korridorin e Tetë që lidh edhe Maqedoninë me Shqipërinë, por fitohet përshtypja se veç fjalëve nuk është bërë diçka më konkrete. Cili është mendimi juaj?

Pikërisht për Korridorin Tetë kemi folur dhe kemi marrë angazhime të rëndësishme në mënyrë që të konkretizohen disa elementë të rëndësishëm që nga ndërlidhja hekurudhore midis dy vendeve, e cila mungon, e deri tek aspektet tjera të këtij korridori për të cilat kemi rënë dakord që të forcojmë bashkëpunimin edhe me Italinë, Bullgarinë dhe me vendet tjera.

"Zgjidhja e problemeve bilaterale në Europën Juglindore nuk qëndron në politikat iracionale për krijimin e kufijve, por në bashkëpunimin rajonal, në të cilin kufijtë nuk do të jenë të rëndësishëm". Ky është konstatimi i bërë publik pas bisedimeve që keni zhvilluar me homologun tuaj maqedonas, zotin Milloshovski. Sa është shqetësuese kjo çështje?

Ende dëgjohen zëra për ndryshime kufijsh, për shkëmbime territoresh, pavarësisht se janë të izoluar dhe nuk e dominojnë klimën e përgjithshme pro europiane që ekziston në rajonin tonë, prandaj kemi ritheksuar se prioritet i vendeve të rajonit tonë nuk mund të jetë kurrsesi ndryshimi i kufijve, por heqja e tyre, heqja e barrierave që pengojnë bashkimin e njerëzve, bashkimin e popujve dhe njëkohësisht bashkimin me Europën.

Gjatë qëndrimit në Shkup, ju keni riafirmuar qëndrimin e Tiranës zyrtare për vënien në jetë të Marrëveshjes së Ohrit. Zoti Meta, fitohet përshtypja se faktori politik shqiptar atje nuk është gjithaq i kënaqur me zbatimin e saj. Cili është mendimi juaj?

Ne besojmë se Marrëveshja e Ohrit ka luajtur rol të rëndësishëm në stabilizimin e situatës politike në Maqedoni dhe në progresin që ajo ka bërë gjatë këtyre gati nëntë viteve drejt NATO-s dhe BE-së. Natyrisht, unë kam theksuar se është e rëndësishme të kemi një zbatim të plotë dhe efikas të kësaj marrëveshjeje dhe ne besojmë dhe dëshirojmë që të shikojmë një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe të ngushtë midis forcave politike shqiptare dhe autoriteteve maqedonase, në mënyrë që kjo marrëveshje të respektohet dhe të implementohet në mënyrë rigoroze.

Marrë me shkurtime nga BBC

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›