Zbulohet nga ajri parcela me 480 rrënjë kanabis pranë kufirit
Zbulohet një parcelë me 480 rrënjë kanabis sativa të mbjella nga autorë që ende mbeten anonimë për Policinë e Korçës. Shërbimet e policisë kufitare kanë konstatuar rastin në një zonë të thellë malore në zonën e Kolonjës. Policia kufitare dhe ajo e Kolonjës kanë mundur të zbulojnë një parcelë në një zonë pyjore dhe të thellë, e cila nga fotografimet nga ajri, ka rezultuar se ka qenë e mbjellë me kanabis sativa. Sipas policisë, sasia e madhe e bimëve të ndaluara është zbuluar nga verifikimi në terren. Parcela e mbjellë është zbuluar në zonën e Mbreshtanit në vendin e quajtur Dërdovë. Burimet policore thanë se ka qenë një sipërfaqe e madhe, e cila është konstatuar se është përdorur për kultivimin e kanabisit. Për shkak të zonës së braktisur dhe tokës pa pronar, parcela është rrethuar nga forcat policore në pritje për të zbuluar autorin dhe ndonjë person që do t’i afrohej zonës së mbjellë me kanabis. Sipas policisë, deri në mesditë pavarësisht nga ndërhyrja e policisë dhe kërkimet, nuk është bërë gjetja e personave që kanë lidhje me kultivimin e bimës narkotike. Forcat policore bënë asgjësimin me anë të djegies të bimëve narkotike, ndërkohë që kanë nisur hetimet intensive për të gjetur personat përgjegjës.
#