Poker i Bylisit, kualifikimi punë e kryer
Kapiteni Dimo shënon dopietë, spikat rikthimi te goli i Uashingtonit, ndërsa Shoshi shënon edhe në ndeshjet e kupës
Bylis Elbasani 4-1
Shënues: Dimo 37, 52 (11-m), Uashington 72, Shoshi 90 \ Halilaj 64
Bylis: Miço, Idrizi, Shoshi, Ristevski, Kelmendi (Asllani 80), Kule, Teqja, Koreshi, Rrapaj, Dimo (Xhafa 53), Abazaj (Uashington 60) Trajner: E. Demiraj.
Elbasani: Ruçi (Xhordorga 46), Toçi, Bello, Jaupi, Dosti, Bederi, Lleshi, Boriçi, Olatunji (Bino 52), Halilaj, Krekasi (Uruçi 55). Trajner: I. File.
Gjyqtarë: E. Petrushi, K. Vargu, P. Simoni (Lezhë)
Raundin e parë të fazës së grupeve ekipi i Bylisit e ka mbyllur me një poker sensacional ndaj Elbasanit. Në një Adush Muça sërish pa tifozë, ekipi i Shensojit ka gjetur sërish fitoren, duke treguar ambicet edhe në kupë. Një ndeshje thuajse pa histori për elbasanasit, por nga ana tjetër me një Bylis që duket se është ngjitur në formën e tij më të mirë.
E rëndësishme ka qenë edhe dopieta e kapitenit Dimo, i cili sërish e ka drejtuar ekipin e tij drejt tripikëshit, duke treguar se dëmtimi nuk ka ndikuar aspak në formën e tij. Por edhe dy golat e tjerë të shënuar nga Shoshi dhe Uashington janë mjaft domethënës, sidomos për sulmuesin brazilian, që rikthehet te goli pas disa sfidash.
Pjesa e parë, ashtu si e gjithë sfida është dominuar totalisht nga Bylisi, i cili që në fillimin e takimit tregoi se kishte hyrë në fushë vetëm për fitore. Por goli erdhi vetëm në minutën e 37-të, kur kapiteni Dimo me një veprim të bukur kapi të papërgatitur portierin mik. Në pjesën e dytë spektakli dhe golat ishin më të shumtë, me Bylisin që sërish vendosi dominimin mbi gjysmëfushën e Elbasanit. Ballshiotët u treguan shumë agresivë dhe të saktë.
Dimo sërish ka shënuar, tashmë nga pika e bardhë e penalltisë. Në minutën e 64-t edhe miqtë shfrytëzuan mirë një episod të lojës dhe shkurtuan diferencën në 2-1. Dy golat e tjerë do të mbanin firmën e Uashingtonit dhe Shoshit, gola që u shënuan përkatësisht në minutat e 72-të dhe të 90-të. Tashmë Bylisi i drejtohet fazës tjetër të kupës me ndeshjen e ardhshme sërish ndaj Elbasanit, por kësaj radhe jashtë fushe.
Edhe një herë performanca e mbrojtjes ballshiote ka qenë pozitive, duke treguar se Bylisi ka ku të mbështetet edhe në kampionat. Aq më tepër me një lider si Maringlen Shoshi, i cili pasi ka gjetur golin ndaj Pogradecit, duket se nuk do të ndalet lehtë, duke mos u bërë vetëm një rrezik për sulmuesit, por edhe për mbrojtjet kundërshtare.
Deklarojnë
Naxhi Shensoj, trajner i Bylisit: Jam i kënaqur nga loja e ekipit, përballuam këtë ndeshje në një mënyrë shumë të mirë dhe ajo që më gëzon janë jo vetëm golat, por edhe loja. Kemi punuar shumë këto javë dhe frytet e punës sonë u dhanë në fushë. Të gjithë lojtarët kanë bërë një punë shumë të mirë dhe shkojmë në ndeshjen ndaj Apolonisë të qetë dhe të përgatitur.
Ilirjan File, trajner i Elbasanit: Erdhëm duke e ditur se përballë do të kishim një ekip shumë të fortë dhe pretenduam vetëm barazimin. Por nuk e arritëm këtë rezultat, pasi Bylisi tregoi se ishte më superior. Tashmë objektivat tona pa dyshim që do ridimensionohen.
