Vllaznia fiton ndeshjen e të rinjve me Dinamon
Grupi D
Vllaznia 7 pikë 7-2
Bylis 7 pikë 6-2
Elbasani 3 pikë 5-9
Dinamo 0 pikë 2-7
Takimi i kupës i zhvilluar në kompleksin e Kamzës është fituar 3-0 nga shkodranët, që janë shumë pranë kualifikimit
Dinamo Vllaznia 0-3
Shënues: Gjini 53, Shaba 70, Markolaj 78
Dinamo: Dauti, Shehu, Luzha, Misiri, Çeliku (Keta 65), Sulollari (Lala 72), Dida, Kulli, Moçka (Bajaziti 51), Mjekaj, Guzja. Trajner: A. Mergjyshi.
Vllaznia: Rexhepi, Lekaj (Jubani 46), Balaj, Hasani, Dema, Shaba, Belisha, Guri (Gjini 52), Nimani (Markolaj 62), Danaj, Erkoçeviç. Trajner: R.Vata
Kartonë të verdhë: Shehu, Luzha, Hasani
Gjyqtarë: A. Koçi, F. Lamaj, F. Elezi (Durrës)
Vllaznia, ndonëse luajti me të rinjtë, arriti të marrë një fitore të pastër 3-0 ndaj Dinamos dhe me këtë tripikësh shkodranët janë shumë pranë objektivit, kalimit në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë. Takimi mes Dinamos dhe Vllaznisë më shumë i ngjante një përballjeje të kampionatit të moshave U-19, kjo për vetë përbërjen që kishin të dy skuadrat, por edhe fushën ku u luajt. Zakonisht, në qendrën stërvitore të ekipeve kombëtare në Kamzë luajnë skuadrat pa fushë, si dhe moshat.
Kështu që kjo përballje kupe mes bluve dhe shkodranëve ishte gjetja e organizatorëve. Dinamovitët u paraqitën në këtë takim thjesht sa për të përmbushur pjesëmarrjen, pasi në fushë nuk u pa asnjë lojtar që aktivizohet me ekipin e parë. Pjesa e parë ishte e vakët, ku loja u përqendrua më shumë në mesfushë dhe faza sulmuese iu la rastësisë.
Të dy ekipet u munduan të rrezikonin, por dukej qartë se dinamovitët nuk kishin forcën e duhur për ta bërë këtë gjë, ndërsa për shkodranët u evidentuan minuta e 15-të me Gurin, por gjuajtia e tij pritet nga portieri Dauti. Në minutën e 22-të kuqeblutë rrezikojnë me Shabën, që godet traversën dhe në minutën e 32-të goditja e dënimit e ekzekutuar nga Belisha pritet lehtësisht nga portieri dinamovit.
Pjesa e parë mbyllet 0-0, ndërsa e dyta është më e bukur, më me ritëm, ku shkodranët arritën të shënojnë tre gola. Pa dyshim katalizator i kësaj fitoreje ishte aktivizimi i sulmuesit Gjini, i cili një minutë pasi hyri në fushë, pikërisht në 53-ën, shënon golin e parë për Vllazninë. Gjini bëhet rreziku numër një për Dinamon. Në minutën e 70-të Shaba shënon golin e dytë dhe të sigurisë për kuqeblutë. Në minutën e 78-të Gjini kombinon me Markolajn, i cili hyn në zonë dhe fuqishëm gjuan dhe shënon golin e tretë. I gjithë takimi përfundon me fitoren 3-0 të Vllaznisë.
Deklaruan
Artan Mergjyshi, trajner i Dinamos: Nuk kam çfarë të them për këtë takim, pasi dihet se kupa nuk është në objektivat tona. Sot (dje) aktivizuam të rinjtë, ku patëm mundësi të krijojmë një imazh më të qartë rreth tyre. Dihet që vëmendja jonë është e përqendruar në kampionat, ku kërkojmë të dalim nga situata ku jemi.
Rudi Vata, trajner i Vllaznisë: Vllaznia mori tri pikë shumë të rëndësishme dhe ky takim vlejti për besimin e gjithë këtyre futbollistëve, që u paraqitën në fushën e lojës. Situata tani në kupë është disi më e qetë dhe e sigurt për të kaluar grupin. Patëm ca momente shumë të mira të disa lojtarëve, që vlejnë për të rritur edhe anën morale e fizike të tyre. Fitorja ishe e bukur, rezultati është i pastër. Mendoj se është një fitore që do ti vlejë shumë grupit.
Të veçanta
-Në momentin e shënimit të golit të dytë nga Stivi Shaba, që është djali i administratorit Kujtim Shaba, stafi teknik që qëndronte në pankinë ka shpërthyer në brohoritje: Bravo, Kujtim!
- Pas fitores me Apoloninë, trajneri Vata i ka dhuruar një orë portierit Vujadinoviç për formën e mirë që tregoi. Pas ndeshjes së djeshme me Dinamon pyetjes se kujt do tia dhuronte sot një orë, trajneri Rudi Vata i është përgjigjur: Pse, çfarë më dini mua, Behxhet Pacolli, që të dhuroj orë në çdo ndeshje?
- Këtë takim e ka ndjekur edhe një përfaqësues i akademisë së Arsenalit , me qendër në Greqi. Lakis Papajanis ishte i shoqëruar nga Indrit Fortuzi dhe misioni i tij ishte për të pikasur ndonjë të ri, që mund të merret në provë në Greqi. Realisht Papajanis ka zgjedhur elementë nga Vllaznia.
