Kreu i Ballit bëhet zëvendës i Olldashit
Kur kanë ngelur më pak se 45 ditë nga zgjedhjet e 28 qershorit, kryeministri Sali Berisha emëron dy zv.ministra të rinj. Jorida Tabaku, aktualisht pedagoge në Fakultetin Ekonomik në kryeqytet do të mbajë postin e zv.ministres së Integrimit. Ajo do të zëvendësojë në këtë post ish-përfaqësuesin e Partisë Demokristiane, Zef Bushati, i cili prej gati një muaji ka marrë detyrën e zv.ambasadorit të Shqipërisë në Itali. Në të njëjtën kohë qeveria ka miratuar vendimin për të emëruar Adriatik Alimadhin në postin e zv.ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. “Me propozimin e kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi që Adriatik Alimadhi emërohet zv.ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit”, thuhet në vendimin e miratuar dje nga qeveria. Ky vendim vjen vetëm pak ditë pasi Partia Demokratike nënshkroi një marrëveshje paraelektorale me Partinë e Ballit Kombëtar të drejtuar nga Alimadhi.