E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polemika te ashpra ne perfundim te ndeshjes Milan-Juventus

Në fjalorin italian të futbollit ekziston edhe një fjalë tepër e rëndësishme. Fjala “helm”. Sa herë që ndodhin episode si ata të ndeshjes së djeshme mes Milanit dhe Juventusit, të gjithë nxjerrin nga goja fjalën “helm”, madje të gjithë kundër njëri-tjetrit.

Milanit iu mohua goli i dytë, pasi topi i goditur me kokë nga Muntari kaloi dukshëm vijën fatale, ndërsa Juventusi shënoi pa dobi një gol në pjesën e dytë, që u quajt në mënyrë të dyshimtë në pozicion jashtë loje.

I njëjti vijërojtës qëlloi protagonist i dy episodeve, madje në rastin e golit të Muntarit, ai ishte i vendosur në pozicion mjaft të mirë për të parë.

Përtej polemikave të ashpra, që zakonisht nuk mungojnë në Apenine, një gjë të vjen ndërmend: Teknologjia në futboll. A duhet përdorur ajo? Kjo ishte pyetja që iu bë bosit milanist, Silvio Berluskonit, dhe ish-kryeministri i Italisë u shpreh pozitiv: Kam qenë gjithnjë i këtij mendimi.

Ju kujtohet goli i Lampardit në ndeshjen Gjermani-Angli në Botërorin e dy viteve më parë dhe po ashtu goli i shënuar nga Meksika në ndeshjen ndaj Argjentinës, që të dy të anuluar ndonëse topi e kishte kaluar vijën e portës.

Ndërkaq, duke u kthyer në “San Siro”, nuk mund të mos të të vrasë veshin fjala “mafie” që u shqiptua nga trajneri juventin Konte për palën kundërshtare, por edhe sherri i Galianit me gjyqtarin.

Ekziston frika se, edhe me vendosjen e teknologjisë, fjala “helm” do të vazhdojë të ketë shumë peshë në futbollin italian.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›