Për mungesë materiali, s’ka seancë këtë javë

Pas mbledhjes së kryesisë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe anëtarët e tjerë nuk janë paraqitur para mediave.
Drejtori i Zyrës për Informim në Kuvend të Kosovës, Sherif Konjufca ka thënë se ka qenë një mbledhje e rregullt e Kryesisë së Kuvendit, ku është diskutuar për programin dhe miratimin e tij, me rastin e shënimit të katër vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
“Është biseduar kryesisht për shënimin e katër vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Për këtë çështje ka raportuar nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti i cili ka prezantuar idetë e tij për shënimin e këtij përvjetori. Ndërkaq, kryesia e ka shqyrtuar dhe miratuar programin, ende nuk është konkretizuar përfundimisht. Është thënë se nuk ka material të mjaftueshëm për mbajtjen e seancës, kështu që seanca nuk do të mbahet këtë javë. Do të mbahet javën e ardhshme”, ka thënë Konjufca.
Kryesia e Kuvendit ka lejuar edhe disa udhëtime të grupeve të deputetëve të veçantë nëpër konferenca dhe takime ndërkombëtare.
Edhe njëherë, për mungesë të materialit të mjaftueshëm, këtë javë nuk do të ketë seancë. Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës është shtyrë të mbahet gjatë javës tjetër. /kosovapress/