E Shtunë, 31 Tetor 2026

KIPRED: Kosova të ndahet në 7 zona zgjedhore

Kosova ende është duke kërkuar një sistem elektoral, i cili do të jetë i drejtë, transparent e efikas dhe që do të sigurojë përfaqësim sa më të mirë të të gjitha grupeve, të të gjitha komuniteteve dhe të gjitha rajoneve. Përderisa Komisioni parlamentar për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet do të fillojë me procesin e përpilimit të rekomandimeve, KIPRED rekomandon që Kosova të ndahet në shtatë zona zgjedhore

Instituti KIPRED ka studiuar zhvillimin e sistemit elektoral në Kosovë për një kohë të gjatë. Një studim më i thellë është bërë në vitin 2011. Janë analizuar të arriturat por edhe mangësitë e sistemit, janë analizuar manipulimet dhe abuzimet që janë vërejtur në zgjedhjet e fundit si dhe janë analizuar rekomandimet më të shpeshta për atë se çfarë duhet të ndryshohet në sistemin elektoral të Kosovës. “Rezultat i kësaj pune është raporti që publikohet sot ‘Zgjedhje në shërbim të qytetarëve’. Edhe pse sikur të respektoheshin ligjet për partitë politike dhe për zgjedhjet edhe sistemi i tashëm elektoral do të siguronte përfaqësim të drejtë të të gjitha grupeve në Kosovë, për shkak të parregullsive që janë shfaqur sidomos në zgjedhjet e fundit, KIPRED e ka parë të nevojshme që të bëhen disa ndryshime në sistemin elektoral”, thuhet në një komunikatë të Insistutit KIPRED.

Sipas tyre, nevojën për ndryshime e kanë theksuar edhe përfaqësues të tjerë nga shoqëria civile por edhe vet partitë politike.

Përderisa Komisioni parlamentar për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet do të fillojë me procesin e përpilimit të rekomandimeve, KIPRED e inkurajon që këtë ta bëjë duke pasur interesin e qytetarëve në rend të parë.

“Një nga ndryshimet më të diskutuara është ndarja e Kosovës në disa zona elektorale. Një ndryshim të tillë e kanë paralajmëruar edhe disa nga partitë më të mëdha në Kosovë. PDK, LDK dhe AKR, me marrëveshjen politike mes tyre për zgjedhjen e presidentit në prill të vitit 2011 ishin marrë vesh edhe që Kosova të ndahet në disa zona elektorale”, vazhdon komunikata e KIPREDI-it, i cili konkludon se zgjidhja më e mirë për Kosovën është që të ndahet në 7 zona.

Kjo ndarje, sipas tyre, do të sigurojë që të gjitha qendrat kryesore urbane të kenë përfaqësim në Kuvendin e Kosovës; pasi kandidatët do të mund të kandidonin vetëm në një zonë, kjo do të mundësojë që kandidatë të tjerë të dalin në skenë në zonat tjera.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›