E Diel, 1 Nëntor 2026

Qindra mesazhe të tjera ngushëllimi për humbjen e Presidentit të "Top Media"-s, Dritan Hoxha

Download the original attachment

Rekuiem për të duartrokitur

Një vdekje për shumë jetë! Një emër u "ngrit" me vdekjen e tij. Madhështia e gjenive ringrihet edhe me vdekje, për t‘i dhënë në vazhdimësi kuptim jetës. Vetëm lule e duartrokitje! Po pse duartrokasin në homazh, mund të pyesë dikush. Në shenjë respekti, si nderim për veprimtarinë mediale dhe vizionin në përjetësi të Dritan Hoxhës! Me shkuarjen e tij fizike, erdhi edhe një mesazh se si njeriu krijon individualitetin e personalitetin e tij me ikjen e tij. Të paktë janë ata që nuk janë "ballafaquar" me rrjetin dixhital mediatik të pamjes e imazheve të përsosura e moderne, sikurse "Top Albania Radio", "DigitAlb" a "Top Channel"! Karizma prej ideatori, respekti për angazhim, virtyti për ta tejkaluar të sotmen, a s‘ishin çaste që këtyre ditëve u ballafaqua opinioni për ta njohur njeriun që depërtoi nëpër hapësirën mediale me forcën e përsosmërisë së pafund? Dhe vetëm këtyre ditëve! Krijuesit, artistët nuk vdesin të parët, ka thënë vite më parë shkrimtarja Natasha Lako. Dhe si nëntekst analogjie Volter paraprin: "Zotëri, unë nuk i ndaj mendimet me ju, por unë do ta rrezikoj jetën time për të drejtën tënde që t‘i shprehësh ato".

Ai imagjinonte fakte, i vetëdijshëm për sukses! Ai e dinte se kur dhe ku duhet të ndalet! Dhe nuk kishte kufij mendimi i tij! Ai i dha botës shqiptare imazhin e fushave të ëndërruara, qoftë edhe të një segmenti "të dikujt tjetër"! Dritani e kishte parasysh këtë jo për ta sfiduar, përkundrazi. Edhe njërin nga kodet themeltare të lirisë të të shprehurit e la amanet me krijimtarinë e tij mediatike: "Liria e të shprehurit është një e drejtë e dyfishtë në sensin e lirisë për të ndikuar, p.sh. shprehja e opinioneve dhe ideve të të gjitha llojeve dhe liria për të kërkuar e pranuar informata dhe ide, të dyja në çdo formë - gojarisht, me shkrim apo të shtypura, në formë të artit, apo nëpërmjet çfarëdo lloji të mediave, përfshirë këtu edhe teknologjitë e reja". Malli është i përkohshëm për duartrokitje. Lulet nuk ndryshken në sallone.

Në ekranin televiziv digjej një helmetë e drunjtë. Të shpeshtën e herëve fotoreporterëve nuk u lejohet hyrja në takimet ku edhe vendoset fati i themeleve, ta zëmë të një dasme a të një fillimviti. Ai hyri në të gjitha segmentet e jetës.

Dikush vdes ende pa lindur,

Dikush vdes ditë për ditë,

Po krijuesit vdesin veç një herë

Për të rilindur një mijë herë.

Tek ne zbrazin plumba në varrim… Dhe tash edhe duartrokitje. Na kanë munguar gjatë historisë.

Enver S. Morina

Autori është redaktor kulture në gazetën LAJM (Prishtinë) dhe shkrimi është botuar më 26 maj si editorial kulture

Vdekja e një perandori…

Atë ditë kam parë në ekran, kolegë të mi gazetarë, që për një çast kishin lënë mikrofonat, studiot, ishin larguar nga kompjuterët dhe mbanin mbi supet e tyre peshën e një arkivoli me trupin e rëndë të Dritan Hoxhës. Nuk e kam parë asnjëherë Tanin, por as edhe e kam takuar. Megjithatë, me Tanin jemi parë e takuar çdo ditë. Jemi takuar, sepse kemi ndjekur çdo ditë ato çfarë ka transmetuar perandoria e tij, "Top Media", televizioni, radio, gazeta…

Nga ekrani nuk kam parë vetëm kolegët e tij, me të cilët ai punonte çdo ditë, por gazetarë të shumtë të të gjitha mediave. Edhe në këtë bashkim, në mund ta quaj kështu, Tani ka meritën e tij. Ai diti, falë aftësive të tij, të përballojë sfidat e mëdha të kohës, që në fakt koha te ne ende nuk i ka kaluar. Shqipëria, e cila po bën hapat e mëdha për t‘iu bashkuar Evropës së civilizuar, në fakt kishte hyrë në Evropë, falë asaj që kishte ngritur e bërë Dritan Hoxha. Shqipëria, që nuk kishte njohur në jetën e saj asnjë perandor, njohu dhe respektoi perandorin e "Top Media"-s, Dritan Hoxhën. Nuk ishin vetëm teknikat moderne, që mbretëronin në këtë perandori, ai zgjodhi për të punuar bashkëpunëtorë të aftë, gazetarë, artistë, skenaristë, që i dhanë këtij institucioni famën e madhe të kohës.

E pra nuk ishte e lehtë. Shqipëria në kohën e tranzicionit ende jeton midis ëndrrës, zhgënjimit dhe dëshirës, jeton midis së djeshmes dhe së ardhmes. Ai, që luftoi më shumë, drejt kësaj të fundit, ishte djaloshi tiranas. Tani, krejtësisht i qartë për atë që kishte marrë përsipër të realizonte, mbante në dorë pishtarin e ndezur, që nuk mund të shuhej nga askush. Ai kish marr zjarr nga ai qiri, që për kohën në të cilën ndriçoi, bënte mjaft dritë. E kam fjalën për gazetën "Koha Jonë" dhe për stafin e saj të mrekullueshëm, që për vite të tëra u bënë simbol i së vërtetës. Këtë stafetë mori në duar Dritan Hoxha për ta ngritur biznesin e tij në një perandori mediatike tejet të fuqishme, tashmë të shikuar e të dëgjuar në çdo vend të botës, jo vetëm aty ku jetojnë e banojnë bashkatdhetarët tanë. "Top Media" e Dritan Hoxhës u bë një perandori krenarie për të gjithë ne, që jetojmë jashtë Shqipërisë. Në Greqi mund të jenë të paktë shqiptarët që nuk kanë prenotuar mekanizmin që ofron "Top Media". Profesionalizëm, vërtetësi, kulturë, histori, sport, janë të gjitha ata që ofron kjo perandori mediatike. Ky nivel kaq i lartë mediatik, ka fituar si askush, atë që në fakt i duhet një mediajeje të tillë, besueshmërinë.

Ne e ndiejmë veten evropianë, jo nëpërmjet politikës, jo nëpërmjet reformave, që zvarriten me vite drejtë realizimit të tyre, por nëpërmjet asaj që ofron "Top Media".

Ndaj, m‘u duk i rëndë atë ditë arkivoli në duart e kolegëve të mi gazetarë. M‘u duk i rëndë, sepse mbante të mbërthyer në të një kolos, që vitet nuk mund ta zbehin punën e tij të madhe, shërbimin e tij të madh ndaj bashkatdhetarëve të tij.

Unë nuk e njoha Dritan Hoxhën, nuk e takova kurrë atë, por bisedoja çdo ditë me të, shikoheshim çdo mbrëmje. Tani vërtet nuk rron më, por ne do të vazhdojmë të jemi pjesëtarë të perandorisë që ai ngriti, dëgjues të rregullt, shikues pasionantë të asaj që "prodhon" gjithnjë "Top Media". Lamtumira e ndarjes me Tanin nuk është një lamtumirë ndarjeje, por një mirupafshim dhe kjo, sepse "Top Media" është bërë vërtet e tillë dhe bashkëkombësit kudo që janë do ta ndjekin gjithmonë atë. "Top Media", më shumë se askush, solli Evropën në Shqipëri dhe ne shqiptarët që jetojmë jashtë Shqipërisë ndihemi krenarë, sepse kemi çfarë t‘u tregojmë të huajve. "Top Media" na ofron gjithnjë të bukurën, bashkëkohoren, atë që na bën të dukemi të barabartë, madje më shumë se kaq me të huajt, që na shoqërojnë. Kjo është forca e një perandorie, fatkeqësisht pa perandorin, që humbi jetën në kulmin e madhështisë së punës së tij.

Ramadan Bizga

"AlbaniaPress"

Tani i Madh i TOP-it!

Në ditën, e cila ishte e para pas varrimit, që gdhiu pa Tanin e "Top"-it, filluan menjëherë përgojimet e para rreth aksidentit të kobshëm. Dhe, në fakt, në gazetari pothuajse kjo pistë e zhvillimeve tanimë është shumë e njohur. Shtrati i procesit të hetuesisë, sipas një rregulli të pashkruar, në media, "prodhon" edhe spekulime të ndryshme. Varësisht nga politikat redaktuese të medias së caktuar, hasen edhe nuanca të cilat në këtë fazë, madje të duken jo humane, për faktin se drejtësia në radhë të parë, duhet ta thotë fjalën e parë dhe të fundit, në kontekst të ndriçimit të rastit tragjik. Duke pasur parasysh faktin se bëhet fjalë për një njeri, i cili Shqipërisë, por edhe shqiptarëve në përgjithësi, u solli të vetmin standard evropian, reagimet mund të jenë deri diku të kuptueshme, por jo edhe të arsyeshme, kuptohet ato negative. Por, ç‘t‘i bësh, kur veset e këtilla të njerëzve apo grupacioneve të caktuara, janë të tilla, që para se të mendojnë me kokë të ftohtë, reagojnë me zemër. Një paraqitje e qarqeve të caktuara, qofshin ato mediave apo të tjera, ka për qëllim, në mos tjetër, zbehjen e imazhit të njeriut, i cili gjithë hapësirës shqiptare i la aq shumë, sidomos gjeneratave të cilat do vijnë pas, në fushën e medias elektronike. Ishte një arritje titanike e kolosale, saqë vështirë se për disa vite me radhë do të mund ta kompensojë hapësira informative shqiptare. Ishte inovator dhe promovues i projekteve, që ishin shumë hapa përpara rrjedhave reale në hapësirat shqiptare, në këtë fushë.

Dritan Hoxha - Tani i TOP-it, Presidenti i "Top Media"-s, është shembulli më i mirë se si shqiptarët duhet të jenë të përkushtuar dhe angazhuar në punë. Ai ishte shembulli më i mirë se cili duhet të jetë kontributi jonë në çdo sferë dhe veprimtari. TOP-i Tanit ishte pothuajse gjëja e vetme me të cilën shqiptarët anembanë mund të mburreshin për arritje dhe kriter me evropianët pa dallim, kundrejt kolegëve të tyre evropianë.

Vlerësimet dhe analizat e ekspertëve të medias në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, por edhe analistëve të gazetarisë në Evropë, janë se humbja e Tanit vështirë do të mund të kompensohet dy dekada me radhë, qoftë edhe nga qeveritë e ardhshme të Shqipërisë

(cilado qofshin ato). Revolucioni i Tanit në këtë fushë, gjatë 10 viteve të fundit, kishte një hapërim bonapartian (dinamik), jo vetëm në nivel shqiptar, por edhe në nivel evropian.

Dhe të merresh tani me spekulime për Tanin, kur ai nuk është më ndër ne, është njësoj si të përpiqesh të përdhosësh atë që ai e arriti si vlerë ndër shqiptarët, si dhe të orvatesh të gjesh një pikë të zezë tek "engjëlli i medias shqiptare". Përpjekjet e tilla nga qarqet e këtilla, natyrisht që do të vazhdojnë - të mendosh të kundërtën do ishte naive - sepse, megjithatë, bëhet fjalë për një personalitet, emri i të cilit do skalitet dhe gdhendet me shkronja të arta në sferën mediave shqiptare, por edhe më gjerë.

Mesazhi më i mirë për momentin do ishte ky: E lini të qetë Tanin e Madh të "Top"-it!

Pusho i qetë, o Imperator!

Fejzi Hajdari

Gazeta "Lajm"

E nderuar familja Hoxha, miq dhe të afërm,

Të nderuar antarë të stafit të ‘Top Channel‘, Tiranë

Në emrin tim personal dhe në emër të Qendrës për Studime Shqiptare, në Londër, që unë drejtoj, ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e më të dashurit të zemrave tuaja, mikut, kolegut dhe drejtuesit të ‘Top Channel‘, të ndjerit Dritan Hoxha.

Humbja e tij, ishte një humbje e madhe jo vetëm për familjarët, të afërmit dhe kolegët e tij, por për të gjithë shqiptarët e brenda dhe jashtkufinjve si dhe të diasporës.

Puna e tij novatore në median vizive dhe dixhitale shqiptare, i ofroi shqiptarët gjithnjë e më pranë njëri-tjetrit, bëri që diaspora shqiptare, të mos e ndiejë largësinë nga dheu mëmë.

Niveli i tij profesional dhe ambicja për të shkua përpara, bënë që emri i Shqipërisë dhe i ‘Top Channel‘, të jenë në krye të listës digjitale të medias botërore.

Sot, të gjithë ne bashkohemi me Ju në dhimbjen tonë të përbashkët, për këtë humbje të madhe të medias shqiptare.

Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij.

Nderimet më të sinqerta

Bejtullah Destani

Drejtor i Qendrës për Studime Shqiptare,

Londër

Kompania "Ogilvy Albania" shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe institucionin tuaj, për humbjen tragjike të Presidentit të kompanisë "Top Media", z. Dritan Hoxha.

Ne ndajmë me ju hidhërimin për shuarjen e personit tuaj të dashur, mikut të mirë, drejtuesit me vizion modern, që shënoi një epokë në zhvillimin e industrisë mediatike në Shqipëri.

Përshëndetje të përzemërta,

Edlira Mali

Managing Director

"Ogilvy Albania"

Me shumë keqardhje e trishtim i dërgojmë "Top Media"-s, stafit të saj dhe familjes së të ndjerit Dritan Hoxha, ngushëllimet tona të thella dhe shumë të ndjera për këtë humbje të rëndë. "Top Media" lindi dhe u rrit me një shpejtësi marramendëse, në një periudhë kyçe të zhvillimit të Shqipërisë, kur demokracia tejet e brishtë kërkonte njerëz heroikisht kurajozë, ku të mbështetej për të mbijetuar. "Top Media" gjatë gjithë kësaj kohe nuk rivalizoi kurrë me asnjë nga mediat e tjera shqiptare. Ajo rivalizoi me mediat e vendeve më demokratike të botës, duke bërë që e gjithë bota shqiptare dhe mentaliteti i plogësht i saj të ecte këto vite me shpejtësi epokale drejt zhvillimit.

Për të përmbushur misionin e saj, "Top Media" mblodhi rreth vetes njerëzit më solidë, profesionalisht dhe moralisht dhe me mentalitetet bashkëkohore. Në këto momente ne ndihemi pranë jush të pikëlluar, por njëkohësisht me shumë shpresë se ju do t‘i kaloni këto momente dhe do të bëni që "Top Media" të vazhdojë të mbetet si deri tani, pararoja e mendimit të lirë shqiptar. Shpresojmë se kështu ju do të shprehni respektin që i takon themeluesit të saj.

Ju përqafojmë me dashuri,

Ariana dhe Artin Berberi

Përshëndetje Keli!

Po të drejtohem ty personalisht, dhe nëpërmjet teje familjes së Tanit, për të shprehur trishtimin tim për këtë humbje të madhe! Fjalët janë pa peshë për të shprehur këtë dhimbje, por nuk mund të qëndroja në heshtje, megjithëse shumë larg Tiranës!

Qoftë kujtimi i Tanit burim frymëzimi për të gjithë ata që duan me punë të kthejnë ëndrrat në realitet!

Me nderime,

Inva Mula

Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike shpreh ngushëllimet e saj për humbjen e Presidentit të "Top Media"-s, zotit Dritan Hoxha, njërit prej themeluesve dhe promovuesve të medias së lirë shqiptare, njërit prej mendjeve më inovatore në fushën e teknologjisë moderne, medias e më gjerë.

Duke ju shprehur ngushëllimet tona, shprehim bindjen se punonjësit e "Top Media"-s do të vazhdojnë të jenë pararojë e mendimit të lirë e të pavarur shqiptar.

Sinqerisht,

Olsi Dekovi

Dëshirojmë t‘Ju shprehim nga ana e "Schneider Electric" ngushëllimet tona më të sinqerta për humbjen e madhe. Ju jemi pranë në këto momente të hidhura. Njeriu jetoi dhe u largua, por është gjallë dhe e paharrueshme ajo çfarë Dritan Hoxha ka lënë pas për të gjithë botën shqiptare.

Ju urojmë forcë e kurajo për të çuar përpara misionin e liderit dhe mikut tuaj më të dashur!

Me respekt,

Stafi i "Schneider Electric Industries",

Shqipëri

Ndarja para kohe nga jeta e njeriut Tuaj të dashur, njeriut që krijoi "Top Media"-n, është përcjellë me hidhërim në komunitetin shqiptar në Britaninë e Madhe, veçanërisht nga lexuesit e "The Albanian". Nuk ishte thjesht një humbje e parakohshme për familjen e tij dhe kolegët e "Top Media"-s. Është edhe një humbje e madhe për të gjithë ne shqiptarët në diasporë, që falë Dritan Hoxhës, Atdheun na e bëri më të afërt.

Ne, fëmijët tanë, sa herë do të marrim në dorë telekomandën e

televizorit, kurrë nuk kemi për të harruar se programet që do të

ndjekim mbajnë brenda tyre idetë brilante të Tanit. Kjo do ta bëjë të paharruar Tanin, këtë njeri që, falë krijesës së tij

"DigitAlb", nuk mund të harrohet lehtë nga të gjithë ne.

Redaksia e gazetës "The Albanian", Londër

Cari Eduard e Besnik,

vi esprimiamo le nostre più sentite condoglianze per la tragica perdita, a voi tutti e tutta la famiglia di Dritan.

Con tanto affetto,

Barbara

Dear Mr. Joti, Mr. Drenova,

Please accept our sincerest condolences on your loss of Mr. Hoxha. It is with disbelieved that we received the terrible news, since it is only a week since we met on a much more pleasant occasion. Although we didn‘t have the pleasure to meet Mr. Hoxha personally, we are well aware of his significance as a leader and a colleague to the both of you.

During the brief stay in Albania, we were convinced that the "Top Channel" is exactly that- the top in the TV industry and service. We would like to use this opportunity to thank you for the meeting again, and will be contacting you regarding the agreed cooperation.

Sincerely,

Vasko Kronevski, Chief Executive Officer

Nextsense

Partizanski Odredi 62, Macedonia

I saw the article. I‘m deeply shocked. It‘s a tragedy I still can not believe... I have no words, I‘m just shocked.

It‘s been a big honor for me to have known and to have been a friend of such a great man!

All my prayers to him and to his family.

Riccardo Silva

President "Milan Channel"

Dear friends,

All JVC is today deeply shocked receiving news from Tirana, our friend Tani passed away by tragic accident.

We herewith express our deepest condolence to the Tani‘s family and all members of "Top Channel Groups" for this most tragically and irreplaceable loss.

For JVC Professional Europe

Jochen Hahn

Sales Manager Export Sales

Fedja Vehabovic

Sales Manager South East



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›