E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Poli i lirisë” pranë ngricës

27/02/2009  Koalicioni

Koalicioni më i ri i deklaruar në spektrin e djathtë të politikës shqiptare “Poli i lirisë” duket se nuk po funksionon ashtu siç duhet. I projektuar si një alternativë në raport me partitë e aleancës së mazhorancës së djathtë në pushtet, “Poli” nuk po gjen dot terren për t’u ngritur më këmbë. Spartak Ngjela, kryetari i partisë “Ligj dhe drejtësi”, më e reja në politikën shqiptare, ka lëshuar disa sinjale aspak pozitive në drejtim të këtij koalicioni. Duke folur nga Shkodra, mësohet se Ngjela ka deklaruar se PLD-ja nuk është pjesë e “Polit të lirisë” dhe se është e vetmja parti politike e djathtë shqiptare. Përmes kësaj deklarate ai rrëzon bashkëpunimin me Partinë Demokristiane të Nard Ndokës dhe “Lëvizjen për zhvillim kombëtar” të Dashamir Shehit, me të cilët do të krijonte këtë koalicion të ri politik e që do të hynte në garën elektorale të 28 qershorit. Duket se qëndrimi i Ngjelës nuk është pritur aq mirë nga Ndoka e Shehi, të cilët pohojnë se aktualisht nuk ka asnjë marrëveshje të mirëfilltë bashkëpunimi të nënshkruar. “Për të arritur në këtë duhet kohë. Finalizimi i krijimit të “Polit” do të bëhet para regjistrimit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Partia e Ngjelës nuk është jashtë “Polit”. Por ai më parë duhet të formojë strukturat e partisë së vet, sepse ende nuk njihet nga zgjedhësit”, - ka deklaruar Ndoka. Në të njëjtën linjë shprehet edhe Shehi. “Poli është një strukturë elektorale dhe ai regjistrohet për të marrë pjesë në zgjedhje 45 ditë para ditës së zgjedhjeve. Në atë kohë do të vendoset përbërja dhe krijimi i këtij koalicioni. Pastaj çdo parti do të votohet më vete dhe kështu nuk mund të ketë rrjedhje votash. Secila forcë merr ato që i takon”, - ka thënë ai. Megjithatë, duket se “Poli i lirisë” po përballet me vështirësi që në hapat e parë të krijimit të tij. Një krisje pa nisur ende mirë funksionimi nuk shihet si një ogur i mirë. Ditën kur Ngjela prezantoi programin politik të partisë “Ligj dhe drejtësi” tha se aleancat më të rëndësishme do t’i krijojë me PDK-në dhe LZHK-në. Por me sa duket Ngjela po kthen pllakë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›