Polican, ambasadori i Holandës dhe i Danimarkës vizitojnë fëmijët e ngujuar
>Qendra e fëmijëve të ngujuar në qytetin e Poliçanit është vizituar dje nga dy ambasadorë të akredituar në vendin tonë. Ambasadori i Holandës dhe Danimarkës kanë parë nga afër dje ambientet e qendrës së fëmijëve në Poliçan dhe kanë garantuar ndihmën e tyre për mbarëvajtjen e kësaj qendre me ndihma financiare. Paraditen e djeshme, ambasadori i Holandës, Henkvanden Dool dhe ai i Danimarkës, Kasten Ankjer Jensen kanë qenë në qytetin e Poliçanit, ku janë pritur nga kryetari i bashkisë, Adriatik Zotkaj.
Pasi kanë zhvilluar një takim në ambientet e bashkisë, ata kanë vizituar nga afër qendrën e fëmijëve të ngujuar. Të njohur nëpërmjet medias me ngjarjet e ditëve të fundit në këtë qendër ambasadorët kanë shprehur dëshirën për t'u njohur me funksionim dhe aktivitetin. Vetë kryetari i bashkisë, Adriatik Zotkaj dhe drejtori i ri i qendrës, Nëntor Spahiu kanë njohur ambasadorët me funksionin e qendrës, aktivitetin që ajo ushtron që prej dy vitesh dhe rëndësinë që ajo ka për fëmijët që janë strehuar në të. Kryetari i bashkisë, Zotkaj shpjegoi se aktualisht në këtë qendër janë të strehuar tetë fëmijë nga veriu i vendit, mbi të cilët rëndon gjakmarrja, fenomen i cili ka tërhequr vëmendjen e dy ambasadorëve. Këta të fundit janë shprehur tepër të vëmendshëm ndaj kësaj qendre kombëtare, duke premtuar investime serioze për funksionimin e saj. Dy ambasadorët premtuan investime për pajisjen e saj me të gjitha mjetet e nevojshme për të siguruar një jetesë normale për këtë kategori fëmijësh. Tashmë pritet kjo qendër të shndërrohet në sajë të këtyre investimeve në një qendër bashkëkohore brenda të gjithave standardeve jetike. Ambasadorët premtuan gjithashtu tërheqjen e vëmendjes dhe tek ambasadorët e ambasadave të tjera të akredituara në vendin tonë, me qëllim ofrimin e ndihmës për ecurinë normale të kësaj qendre në veçantë. Pas debateve të shumta të ditëve të fundit në lidhje me mënyrën e menaxhimit të fondeve të kësaj qendre dhe aktivitetin e saj, çështje e cila tashmë pritet të zbardhet në gjykatë, pranë saj janë të strehuar tetë fëmijë nga veriu i vendit, ku janë të punësuar 20 persona mes të cilëve mësues, psikologë e kujdestarë.