E Diel, 1 Nëntor 2026

Poliçan, rrahin drejtorin se i përjashtoi nga shkolla

POLIÇAN - Dy gjimnazistë nga Poliçani u arrestuan të enjten nga policia e qytetit, pasi rrahën drejtorin e shkollës së mesme.

Ngjarja ndodhi pas debatit mes adoleshentëve dhe drejtorit 61-vjeçar, i cili sapo u kishte komunikuar atyre përjashtimin nga shkolla për shkak të mungesave. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00 të dy ditëve më parë në ambientet e gjimnazit. Burime zyrtare të policisë pohuan se, dy nxënësit u denoncuan nga drejtori N.L. Pas hetimeve të para dhe marrjes në pyetje të drejtorit dhe dëshmitarëve u bë ndalimi i dy adoleshentëve, B.Kalluçi, 16 vjeç, lindur e banues në Poliçan dhe A.Qamos, 17 vjeç, lindur në Kukës e banues në Poliçan. Ata ishin në vitin e dytë të gjimnazit të qytetit, por nga numri i mungesave është mësuar se nuk e frekuentonin rregullisht shkollën. I informuar nga mësuesit për tejkalimin e numrit të mungesave, drejtori kishte marrë vendimin për përjashtimin e tyre nga shkolla. Kur nxënësit kanë shkuar në shkollë, atyre u është bërë e njohur masa e përjashtimit. Të irrituar ata kanë dalë nëpër korridore, duke kërkuar që të takohen me drejtorin, për t'i kërkuar llogari për masën e përjashtimit. Djemtë i kanë kërkuar shpjegim për arsyen e largimit nga shkolla se vetë ata e quanin veprimin e drejtorit të paligjshëm, pasi nuk kishin plotësuar mungesat. Në momentet që drejtori po jepte argumentet për këtë masë, nxënësit kanë reaguar, duke i cilësuar tendencioze, duke u hedhur në sulm fizik ndaj 61-vjeçarit. Ata e kanë qëlluar me grushte e shkelma për t'u larguar menjëherë nga ambientet e shkollës. Pas denoncimit të bërë nga drejtori i gjimnazit, policia e qytetit ka nisur kërkimin për dy djemtë, të cilët u ndaluan rreth orës 21:00, në banesat e tyre. Pas arrestimit të dy nxënësit janë marrë në pyetje nga oficeri gjyqësor për të zbardhur të vërtetën e kësaj ngjarjeje. Mësohet që të dy nxënësit të jenë shprehur se drejtori i kishte hequr pa të drejtë dhe për këtë u hakmorën. Arrestimi i tyre u bë për veprën penale të "goditjes për shkak të detyrës", ndërsa pritet që hetimet e mëtejshme të vendosin për fatin e tyre. d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›